Lituania shpall gjendje emergjente për balona nga Bjellorusia

Lituania shpall gjendje emergjente për shkak të balonave nga Bjellorusia

Lituania do të shpallë “gjendje emergjente kombëtare” pas incidenteve të shkaktuara nga balona ilegale që vijnë nga Bjellorusia, njoftoi kryeministrja e vendit.

Ajo theksoi se po përgatiten bazat ligjore dhe dokumentet e nevojshme, duke cilësuar shpalljen e gjendjes emergjente si “masën më të mirë që mund të merret në këtë moment”.

Kryeministrja Inga Ruginienė shtoi se kjo masë do të mundësojë qeverinë dhe autoritetet lokale të alokojnë më shumë burime për të luftuar këto balona. Ajo nuk përjashtoi mundësinë e marrjes së masave të tjera, duke shtuar se gjendja emergjente pritet të shpallet javën e ardhshme.

Si pasojë e këtij “invazioni” me balona që vinë nga Bjellorusia, dy aeroporte kryesore të Lituanisë, ato në Vilnius dhe Kaunas, janë detyruar të pezullojnë operacionet e tyre disa herë.

Autoritetet lituaneze pohojnë se këto balona, të cilat fluturojnë deri në 10 kilometra lartësi, dërgohen qëllimisht në rrugët ajrore të aeroporteve dhe përbëjnë një kërcënim për aviacionin civil.

Edhe pse balonat janë përdorur prej kohësh për transportin ilegal të cigareve nga kontrabandistët, në muajt e fundit ato kanë shkaktuar mbyllje të aeroporteve.

Ky shtet baltik, anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, ka akuzuar prej kohësh Bjellorusinë, aleate e ngushtë e Rusisë, se po kryen një “luftë hibride”.

Scroll to Top