LituaniaRrëzon Objekte Ajrore nga Bjellorusia, Mbyll Kufijt

Lituania do të rrëzojë të gjitha objektet ajrore që hyjnë pa leje nga Bjellorusia, thotë kryeministrja.

Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė, ka deklaruar sot se vendi i saj do të fillojë të shënjestrojë dhe rrëzojë me armë balonët e trafikantëve që kalojnë kufirin nga Bjellorusia. Këta balonë kanë shkaktuar probleme të vazhdueshme në trafikun ajror mbi vendin baltik.

Javën e kaluar, Lituania mbylli aeroportin e Vilniusit katër herë për shkak të hyrjeve të këtyre balonëve në hapësirën e saj ajrore. Si përgjigje ndaj këtyre incidenteve, janë mbyllur përkohësisht edhe pikat e kalimit kufitar me Bjellorusinë.

Lituania ka deklaruar se balonët dërgohen nga trafikantë të duhanit kontrabandë nga Bjellorusia drejt Bashkimit Europian. Po ashtu, vendi akuzon presidentin bjellorus Aleksandr Lukashenko, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, se nuk po ndalon këto praktika.

Šimonytė i cilësoi incidentet si “sulme hibride” dhe tha se pikat e kalimit kufitar me Bjellorusinë do të mbeten të mbyllura, me përjashtim të udhëtimeve të diplomatëve dhe qytetarëve të Bashkimit Europian që largohen nga vendi fqinj.

“Sot vendosëm të marrim masat më të ashpra. Nuk ka rrugë tjetër,” tha Šimonytė në një konferencë për shtyp. Ajo shtoi se Lituania, si vend anëtar i NATO-s, mund të diskutojë gjithashtu aktivizimin e nenit 4 të NATO-s për konsultime lidhur me sigurinë.

Aviacioni europian është përfshirë në kaos javët e fundit për shkak të mjeteve fluturuese pa pilot (dronëve) dhe objekteve të tjera ajrore, duke përfshirë incidente mbi aeroportet në Kopenhagë, Mynih dhe në rajonin e Baltikut.

Të enjten e kaluar, Lituania njoftoi se dy avionë ushtarakë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore për rreth 18 sekonda, duke shkaktuar një protestë zyrtare dhe reagim nga forcat e NATO-s, ndërkohë që Rusia mohoi përgjegjësinë.

Ministri i Jashtëm lituanez, Kestutis Budrys, theksoi se shkeljet e fundit të hapësirës ajrore nuk duhen parë si incidente të izoluara. “Janë provokime të qëllimshme, të dizajnuara për të destabilizuar, për të shpërqendruar dhe për të provuar vendosmërinë e NATO-s,” shkroi ai në rrjetin social X.

Scroll to Top