Liverpuli përballet me mungesa dhe kritika para sfidës në Champions

Liverpuli përballet me mungesa për sfidën në Champions League, ndërkohë që synon të lërë pas humbjet në Premier Ligë.

Skuadra e Liverpolit do të zhvillojë sonte ndeshjen e radhës në Ligën e Kampioneve. “Të kuqtë” do të presin në “Anfield” skuadrën e PSV-së, në një ndeshje të vlefshme për fazën e ligës së këtij kompeticioni.

Megjithatë, Liverpuli mund të përballet me mungesa për këtë takim. Kjo pasi që Florian Wirtz, Jeremie Frimpong dhe Conor Bradley nuk u stërvitën me skuadrën, duke ngritur dyshime rreth prezencës së tyre. Mbetet të shihet nëse do të jenë në listën e trajnerit Slot.

Vetë tekniku holandez theksoi ndërkaq, se nuk e kishte pritur që ekipi të përfundonte në një pozicion të tillë: “Të them të drejtën, nuk e prisja të ishim në këtë situatë, me mënyrën se si qasemi taktikisht dhe me cilësinë e lojtarëve që kemi”. Deklaratat e tij tregojnë vetëkritikë, por edhe vendosmërinë për të rikthyer skuadrën në rrugën e duhur, duke marrë barrën mbi vete dhe duke kërkuar përmirësim të menjëhershëm në fushë.

Nga ana tjetër, një trajner i njohur i futbollit tregoi se ishte shumë afër të merrte drejtimin e “Të kuqve”. Bëhet fjalë për selektorin e Francës, Didier Deschamps, i cili tregoi se në një pikë të karrierës së tij ishte pranë të emërohej si trajner i Liverpolit, si zëvendësues i trajnerit Rafa Benitez.

“Isha shumë krenar që një klub si Liverpuli ishte i interesuar për mua”, tha Deschamps. “Por nuk ishte koha e duhur. Isha i angazhuar me Marsejën, lojtarët dhe tifozët, dhe nuk mund t’i lija dy ditë para rinisjes së sezonit. Isha jashtëzakonisht i kënaqur dhe i lumtur, por vendosa të qëndroja dhe të vazhdja aventurën time aty”, u shpreh Deschamps.

Ndonëse nuk arriti të bëhej trajner i Liverpolit, Deschamps pati sukses të madh si trajner i Kombëtares Franceze, ku fitoi Botërorin në vitin 2018, si dhe arriti finalen e “Euro 2016” dhe Botërorit 2022. (PANORAMASPORT.AL)

Scroll to Top