“`html
Si u llogarit çmimi i naftës; Bordi pritet të rishikojë sërish formulën (në rritje)
Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve vendosi dje të rishikojë çmimin e naftës, pas rritjes së tij në bursat ndërkombëtare. Çmimi i pakicës u rrit me 6 lekë/litër, duke arritur në 124 lekë. Vendimi për uljen e akcizës me 20% amortizoi çmimin final me 9.4 lekë; përndryshe, ai do të kishte arritur në 133.4 lekë.
Këto çmime do të jenë në fuqi, të paktën deri të mërkurën, kur pritet të mblidhet sërish Bordi. Por, si u llogarit ky çmim?
Bordi i Transparencës, që u riaktivizua rreth një javë më parë, e ka llogaritur çmimin duke u referuar të dhënave të dërguara nga Dogana lidhur me mbylljen e bursës Platts të datës 2 prill 2026. Në atë datë, Gazoil (FOB – pa kosto sigurimi e transporti) arriti në 1,572 $ / TON, nga 1370 USD që ishte ditën e mëparshme, duke shënuar një rritje prej gati 200 dollarësh për një ditë.
Këtij çmimi i shtohet një Premio prej 30 $/ton, sipas publikimit të Doganave. Vetëm çmimi i blerjes arrin në 113 lekë për litër.
Taksat kryesore (Qarkullimi, akciza e rishikuar, karboni dhe TVSH) arrijnë në 95.9 lekë për litër (nga 105.4 lekë nëse do ishte akciza e pandryshuar). Këtyre u shtohen edhe 3 lekë marzh për shumicën dhe 12 lekë për pakicën, ku përfshihen të gjitha kostot e tjera, si pagat, taksat lokale, transporti etj. (shiko tabelën më poshtë për formulën e çmimit).
Taksat kryesore përbëjnë 43% të çmimit final të pakicës, nga 45% nëse nuk do të ishte ulur akciza, me një diferencë të papërfillshme!
Debati në mbledhje, formula pritet të rishikohet sërish
Në mbledhjen e fundit pati sërish debate për mënyrën se si Bordi ka llogaritur çmimin. Importuesit u ankuan se përllogaritja bëhet në bazë të çmimit FOB (Free on Board), që nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin, dhe jo të çmimit CIF, që përfshin transportin dhe sigurimin dhe që rrisin çmimin e blerjes me 45-50 dollarë për ton, duke e çuar në rreth 1620 dollarë.
Bordi u kërkoi importuesve të paraqesin kontratat, në mënyrë që të bindet se ata e paguajnë naftën me çmimin CIF të ditës që e nxjerrin në treg dhe jo në ditën që e blejnë.
Sipas importuesve, në momentin e importit, produkti kalon fizikshk në pronësi dhe ruajtje të kompanisë shqiptare, ndërsa vlera financiare mbetet ende në ngarkim të furnizuesit. Çdo ditë, në varësi të kërkesës së tregut vendas apo kërkesës nga vendet fqinje për rieksport, kompania shqiptare i dërgon kërkesë furnizuesit për lirimin e produktit për arsye të hedhjes së tij në treg. Furnizuesi, bazuar në çmimin Platts të ditës, mbyll çmimin për sasinë përkatëse, lëshon faturën dhe mbi këtë bazë kryhet pagesa.
Bordi ra dakord që, nëse kontratat do të vërtetojnë këtë, do të rishikojë formulën në takimin e radhës, të caktuar të mërkurën. Nëse do të pranohet si referencë çmimi CIF, atëherë, sipas llogaritjeve të formulës, kjo do të shtonte çmimin final të pakicës edhe me 4-5 lekë për litër.
“`
