Korçë, zbulohet një pikë e lojërave të fatit, në pranga 25-vjeçari
Policia e Korçës ka zbuluar një lokal në qytet që shërbente si pikë e lojërave të fatit. Si pasojë, është arrestuar pronari i ambientit, një 25-vjeçar, dhe janë sekuestruar pajisjet që shërbejnë për organizimin e lojërave të fatit, si dhe një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari.
Ky operacion erdhi pas informacioneve të siguruara nga burime operative, të cilat dyshonin se në një lokal në lagjen nr. 16 të qytetit viheshin bastë sportive. Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E. J., 25 vjeç, banues në Korçë. Ai akuzohet për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”.
Në lokalin në pronësi të 25-vjeçarit, u gjetën pajisje elektronike për vendosjen e basteve, disa bileta dhe një sasi parash, që mendohet të jetë fitim nga aktiviteti i paligjshëm.
