Anis Mehmeti, futbollisti më i vlerësuar; Broja largohet nga “podiumi”! Ja sa vlejnë lojtarët e Shqipërisë të grumbulluar për duelin kundër Polonisë.
Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë më 26 mars, në orën 20:45 në Varshavë, në ndeshjen e parë të fazës “Play Off” të Botërorit 2026. Ky është një duel vendimtar për kuqezinjtë, të cilët synojnë të hedhin një hap historik drejt kualifikimit, përpara një kundërshtari me përvojë të madhe ndërkombëtare.
Trajneri Silvinjo ka bërë publik listën me 26 lojtarët e grumbulluar për këtë përballje, si dhe për një ndeshje të mundshme më 31 mars kundër Ukrainës ose Suedisë. Lista përfshin risi, rikthime, por edhe mungesa të rëndësishme.
Interesant është fakti se vlera totale e 26 futbollistëve të grumbulluar nga Silvinjo arrin në 95.65 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.
Lista kryesohet nga Anis Mehmeti, i cili ka vlerën më të lartë, plot 14 milionë euro. 24-vjeçari, pjesë e Ipsuiçit në Angli, po kalon një moment mjaft të mirë, teksa në pak kohë vlera e tij u rrit nga 10 milionë euro në 14 milionë euro.
“Podiumi” më pas plotësohet nga Kristjan Asllani me 13 milionë euro, ndërsa në vend të dytë qëndron Ernest Muçi me vlerë 11 milionë euro. Armando Broja, i cili më parë ishte në “podium”, tashmë vlen vetëm 8 milionë euro.
Në vazhdim renditen lojtarë si Ismajli, Mitaj, Gjimshiti dhe Myrto Uzuni.
Sa i përket futbollistit me vlerën më të ulët, ai është prurja e re, Bujar Pllana. 24-vjeçari është pjesë e Lechia Gdansk në Poloni, teksa kartoni i tij vlerësohet me 300 mijë euro, 50 mijë më pak se Naser Aliji i Dinamos, i cili mban vendin e 25-të.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL
