Rikthehet Lotaria Amerikane: SHBA Forcon Rregullat e Aplikimit
Shtetet e Bashkuara kanë finalizuar rregulla të reja për Programin e Vizave të Emigrantëve të Diversitetit, i njohur si Lotaria Amerikane. Këto ndryshime synojnë të forcojnë kërkesat për verifikimin e identitetit të aplikantëve.
Departamenti i Shtetit publikoi rregulloren përfundimtare në Regjistrin Federal, me titullin “Vizat: Përmirësimi i Verifikimit dhe Luftimi i Mashtrimit në Programin e Vizave të Emigrantëve të Diversitetit”. Rregulli do të hyjë në fuqi më 10 prill 2026.
Sipas rregullave të reja, çdo aplikant do të duhet të paraqesë të dhëna të detajuara nga pasaporta e tij si pjesë e formularit elektronik të regjistrimit. Aplikantët do të duhet gjithashtu të ngarkojnë një skanim të faqeve biografike dhe të nënshkrimit të pasaportës.
Qëllimi kryesor, sipas zyrtarëve, është të forcohet verifikimi i identitetit dhe të zvogëlohet përdorimi i mashtrimeve, aplikimeve të dyfishta dhe paraqitjeve të bëra nga palë të treta pa dijeninë e individëve të përfshirë.
Çdo vit, deri në 55,000 viza emigrantësh jepen përmes një procesi të kompjuterizuar të përzgjedhjes së rastësishme. Departamentit të Shtetit thekson se kërkesa për dokumentacionin e pasaportës do të sigurojë që pjesëmarrja në Lotari të lidhet me individë të vërtetë dhe do ta bëjë më të vështirë përdorimin e informacionit nga ndërmjetës ose agjentë të paligjshëm.
Informacioni i kërkuar përfshin:
- Numrin e pasaportës
- Vendi ose autoriteti që e ka lëshuar pasaportën
- Datën e skadimit të pasaportës
- Një kopje të skanuar të faqes biografike
- Një kopje të skanuar të nënshkrimit
Regjistrimet që nuk plotësojnë këto kërkesa mund të skualifikohen. Përjashtime të kufizuara mund të aplikohen për individë pa shtetësi ose ata që nuk mund të marrin pasaportë për arsye qeveritare.
Rregullorja përfshin gjithashtu përditësime teknike, duke zëvendësuar termin “gjini” me “seks” dhe “moshën” me “datën e lindjes”, për të përmirësuar saktësinë e mbledhjes së të dhënave. Këto ndryshime do të zbatohen duke filluar me Lotarinë DV të vitit 2027.
Aplikantët duhet të kenë pasaportën gati gjatë plotësimit të aplikimit, pasi verifikimi i saj do të jetë një pjesë kyçe e procesit.
