Lotaria e zhgënjimit: Fituan 35 Milionë, nuk morën asnjë cent

Fituuan 35 Milionë në Lotari, por Nuk Morën asnjë Cent: Historia e Një Çifti Fatkeq

Për pak momente, Edwina dhe David Nylan, një çift nga Fleetwood, Anglia, besuan se jeta e tyre kishte ndryshuar përgjithmonë. Një biletë lotarie me vlerë dy paundësh ngjalli shpresën se ishin bërë milionerë. Megjithatë, historia e tyre u shndërrua në një nga rastet më zhgënjyese të lotarisë britanike.

Çifti kishte zgjedhur saktësisht të njëjtët gjashtë numra që fituan xhekpotin prej 35 milionë paundësh në një short të zhvilluar pak para Krishtlindjeve. Numrat përputheshin plotësisht, por mungonte një detaj vendimtar: bileta nuk ishte blerë në mënyrë përfundimtare.

Edwina kujton momentin kur pa numrat fitues të shpallur, duke menduar se fitorja do t’u ndryshonte jetën. Megjithatë, nuk mbërriti asnjë email konfirmimi dhe asnjë njoftim në profilin e tyre të lotarisë. Kur kontaktuan kompaninë e lotarisë, morën një përgjigje që i shoi çdo shpresë.

Blerja e biletës ishte refuzuar automatikisht për shkak të fondeve të pamjaftueshme në llogarinë bankare (vetëm 60 paundë), duke mos arritur shumën e nevojshme për transaksionin. Pa një blerje të përfunduar, nuk kishte as pjesëmarrje në short dhe rrjedhimisht, as të drejtë për çmimin.

Edwina shpjegoi se ata ishin përpjekur të rimbushnin llogarinë dhe menduan se procesi ishte kryer me sukses. Për shkak të festave të Krishtlindjeve, ata nuk e kontrolluan email-in e konfirmimit. Ajo tha: “Ishte nata e Krishtlindjeve dhe mendja ime ishte diku tjetër”.

Sistemi i lotarisë funksionon pa kompromise: pa konfirmim, nuk ka biletë; pa biletë, nuk ka fitim, edhe nëse numrat janë të gjithë të saktë. Nga ëndrra në zhgënjim të thellë brenda pak orësh.

Edwina përshkroi ndjesinë si një zhgënjim të thellë, më shumë se zemërim. Ajo u shpreh: “Na u desh thjesht të vazhdonim jetën tonë. Të mos fundosemi. Të jemi mirënjohës për atë që kemi”.

Kompania e lotarisë sqaroi se çdo përpjekje e dështuar për blerje shoqërohet me një mesazh gabimi dhe se vetëm biletat e blera me sukses përfshihen në short.

Pavarësisht kësaj përvoje, çifti Nylan thotë se do të vazhdojë të luajë, jo në pritje të një mrekullie, por me një filozofi të thjeshtë: “Ndonjëherë fati nuk të detyrohet asgjë.”

Scroll to Top