Lubonja: Akuza ndaj Ballukut zbulon dobësinë e Ramës
Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, në një intervistë për emisionin “Log.” në News24, ka analizuar zhvillimet e fundit politike dhe hetimin e SPAK-ut ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sipas Lubonjës, ky rast ngre pikëpyetje serioze rreth integritetit të qeverisë dhe përgjegjësisë politike të kryeministrit.
“Ka shumë pikëpyetje rreth këtij rasti. Akuza ndaj Ballukut për marrjen e 50 milionë eurove, për të cilën ajo është një figurë e dytë në qeveri, në njëfarë mënyre e zhvesh plotësisht kryeministrin nga çdo mbrojtje, duke lënë përshtypjen e thënies ‘ata hanë kumbulla pas meje’. Tani del dhe kjo, dhe është shumë e vështirë për t’u mbrojtur. Moralish, situata është e rëndë për qeverinë,” ka deklaruar Lubonja.
Ai shtoi se nëse pretendimet për përfitime korruptive janë të vërteta, atëherë bëhet fjalë për korrupsion politik në nivelet më të larta të qeverisjes.
“Unë sot ngre pyetjen kryesore: a i ka dhënë Balluku ato 50 milionë euro asaj kompanisë turke duke vepruar vetëm, pa përmendur faktin që ata kanë udhëtuar së bashku me kryeministrin drejt Turqisë? Këtu kemi të bëjmë me korrupsion politik. Ish-presidenti francez Sarkozy është arrestuar për veprime të ngjashme, pasi ka marrë para nga Libia,” tha ai.
“Nëse ky akt do të shkojë deri në fund, deri te kreu i qeverisë, atëherë do të kemi drejtësi. Nëse jo, do të ketë gjithmonë dyshime: mos e ka bërë grupi i Veliajt, apo mos do ta shkarkojë Rama sepse ajo i ka thënë ‘palloshi i gjatë’, etj.,” shtoi analisti.
Sipas Lubonjës, Partia Demokratike duhej të kërkonte dorëheqjen e Ballukut, siç kishte vepruar më parë me figura të tjera të mazhorancës, por kjo nuk po ndodh për shkak të interesave të ndërsjellta që lidhen me strukturën oligarkike të ngritur prej vitesh nga të dy krahët politikë.
“Duhej të kërkohej dorëheqja e Ballukut, sepse edhe kur protestuan për Veliajn, kërkohej dorëheqja e Ramës. Tani që çështja është te Balluku, Berisha ka thënë jo. Intuita ime më thotë se padyshim sistemi është ngritur bashkë nga oligarkia që ka bashkëpunuar me të dyja partitë, ku secila kishte oligarkët e vet,” deklaroi Lubonja.
Ai shtoi se mund të ketë ndërveprime të fshehta mes interesave ekonomike të afërta me Berishën dhe lidhjeve të tyre me Ballukun, që mund të kenë ndikuar në vendimin e opozitës për të mos reaguar ashpër ndaj saj.
“Ndoshta një nga oligarkët e Berishës, që i ka bërë nderime por ka marrë nderime nga Balluku, për hir të atyre nderimeve i ka thënë: ‘Mos e ngacmoni shumë këtë’. Kjo vërteton tezën se partitë e kanë ndërtuar sistemin oligarkik së bashku,” theksoi analisti.
Lubonja argumentoi se sistemi politik në Shqipëri ka pësuar një mutacion të thellë nën drejtimin e Edi Ramës, pasi sipas tij, ndryshe nga më parë, tashmë mungon rotacioni politik, që ishte një element i brendshëm i ekuilibrit të këtij sistemi.
“Ky sistem ka pësuar një mutacion me Ramën, sepse më parë nënkuptonte rotacion politik. Mutacioni që ka ndodhur është se tani nuk ka më rotacion,” përfundoi Lubonja.
