Vendimi për Ballukun/ Lubonja: Bllokimi është politik dhe jo ligjor
Analisti Fatos Lubonja, duke folur në emisionin “Kjo Javë” në News24, u shpreh rreth çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendimin pas 10 orësh mbledhje.
Lubonja theksoi se i gjithë ngërçi është politik dhe jo ligjor. “Ngërçi, bllokimi është politik dhe jo ligjor,” tha ai.
“Është e qartë se kjo çështje, jam i bindur se nuk duhet 10 orë për të vendosur. Këta gjyqtarë kanë pasur gjithë kohën për të marrë një vendim brenda interpretimit që i bën Kushtetutës. 10-orëshi sot është absurd. Këtu luhet politikë dhe jo drejtësi,” vijoi analisti.
Sipas tij, nëse gjykatësit do të ishin seriozë, ata kanë qëndruar kaq gjatë për të “hedhur topin matanë”. Ai shtoi se SPAK duhet të kishte qenë më i qartë që në fillim duke kërkuar arrestimin, pasi vendimi për pezullim nga funksioni nis që aty.
“Të gjitha këto tregojnë forcën që ka politika mbi SPAK dhe Kushtetuesën. Problemi kryesor është Parlamenti, i cili kontrollohet nga mazhoranca. Kjo vonesë është si rezistenca e fundit,” përfundoi ai.
