Lubonja: Rama i lidhur me krimin, reforma drejtësisë fasadë

Lubonja: 5 vjet më parë, Donald Lu më tha se Rama, Berisha dhe Meta do të përfundonin në burg

Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja ka zbuluar, gjatë një interviste dhënë në emisionin “Kjo Javë” në News 24, një bisedë që pati vite më parë me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu, në kohën kur miratohej reforma në drejtësi.

Sipas Lubonjës, ambasadori amerikan shprehu atëherë pritshmërinë që Meta dhe Berisha do të arrestoheshin, ndërsa Shqipëria do të futej në Evropë. Ai madje shtoi se sipas Lu, radha do t’i vinte edhe Edi Ramës.

“Rama ka qenë mjeshtri për të shitur demokracinë dhe për t’u lidhur me kriminelët. Ai ka menduar se reforma në drejtësi do të merrej si një hap përpara në letër, duke bërë disa arrestime, duke futur në burg kryeministra që kanë bërë korrupsion, por në të vërtetë do të mbroheshin vetë dhe do të shkatërronin opozitën. Pra, në fasadë do të bëhej drejtësia, por prapa kësaj do të bëheshin padrejtësi. Unë këto biseda i kam pasur me ambasadorin amerikan. Ai tha se do të arrestoheshin dy, Saliu dhe Meta, dhe Shqipëria do të futej në Evropë. Në fund, më tha se do t’i vinte radha edhe Ramës. Madje më pyeti nëse do të vinim bast se kjo do të ndodhte brenda një ose dy muajsh. Por kanë kaluar më shumë se 5 vjet”, – u shpreh Lubonja.

Lubonja vijoi duke theksuar se Shqipëria ka pasur periudha me opozitë më të fortë, presidentë më të pavarur dhe institucione që kontrollonin njëri-tjetrin. “Me atë që ka ndodhur dhe me atë që ka thënë OSBE-ja, se është krijuar një parti-shtet që ka futur krimin në zgjedhje, në këto kushte Edi Rama është shumë më i fortë dhe ka marrë drejtësinë në dorë. Prova që dha opozita e re, si Shehaj dhe Lapaj, që nuk ndiqen më, nuk është faji i Saliut. Me këtë pakënaqësi të madhe që ka populli, votat do të transferoheshin tek ata.”

Ai përsëriti se Rama ka qenë mjeshtër në shitjen e demokracisë dhe lidhjen me kriminelët. “Paradoksi qëndron në faktin se kur u bë reforma në drejtësi, pyetja kryesore ishte nëse ajo do të bëhej e pavarur dhe nëse amerikanët do të ishin mbështetësit e saj. Pra, le të bëjmë një reformë në drejtësi, që ata ta marrin si një ecje përpara, në letër, dhe me disa arrestime, të fusim në burg disa kryeministra që kanë bërë korrupsion, por në të vërtetë ne mbrohemi nga këta dhe shkatërrojmë opozitën. Pra, në fasadë bëjmë drejtësinë dhe prapa saj bëjmë padrejtësi. Unë këto biseda i kam pasur me ambasadorin amerikan. Arrestohen dy, Saliu dhe Meta, Shqipëria futet në Evropë. Dhe në fund më tha se do t’i vinte radha edhe Ramës. Madje më pyeti nëse do të vinim bast se kjo do të ndodhte për një ose dy muaj. Por kanë kaluar më shumë se 5 vjet.”

Scroll to Top