Lubonja: Proda nuk u largua për Vilën, inkriminimi i policisë është skandaloz
Shkrimtari dhe publicisti i njohur Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Studio 24”, duke komentuar zgjedhjen e kreut të ri të Policisë së Shtetit, e cilësoi si skandaloz inkriminimin e policisë.
Lubonja theksoi se largimi i ish-drejtorit të policisë, Ilir Proda, nuk ndodhi për shkak të ngjarjes me “Vila 31” gjatë protestës së opozitës, por për shkak të lidhjes së tij me Ergys Agasin.
“Duket sikur Rama është një i pafajshëm, sikur e kontrollojnë krimi dhe këta. Më duket sikur nuk është këtu. Pyetja që mund të ngrihet, pse u hoq Proda? Nuk besoj se u hoq për ngjarjen e Vilës. U hoq se del i lidhur me Agasin. Unë mendoj se këtu nuk është çështja është përfolur apo jo. Policia është e inkriminuar në mënyrë skandaloze. Është e palogjikshme të mendosh se befasisht Rama dhe të tijët, tani paskan vendosur të bëjnë demokraci. E zgjodhën mes gjithë policëve? Ka qenë një komision. A ka burrë nëne që të besojë se ky komision vendos mbi disa kritere morale?! Këtu është i gjithë sistemi problem. Pushteti është në krizë gjithnjë e më shumë”, tha Lubonja.
