Lufta Iran-SHBA: Katër skenarë, teksa bisedimet ngecin
Armëpushimi dy-javor midis SHBA-së dhe Iranit, i cili pritet të skadojë të mërkurën, po afrohet pa qartësi nëse do të zgjatet, ndërsa tensionet janë rritur sërish. Raundi i parë i bisedimeve SHBA-Iran, i zhvilluar më 11 prill, përfundoi pa rezultate. Që atëherë, SHBA ka vendosur bllokadë detare ndaj anijeve të lidhura me Iranin në Ngushticën e Hormuzit. Si kundërpërgjigje, Irani ka qëlluar ndaj anijeve që tentojnë të kalojnë, ndërsa të hënën SHBA sekuestroi një anije iraniane. Teherani e ka cilësuar këtë veprim si “pirateri” dhe ka kërcënuar me hakmarrje, ndërsa Presidenti Trump ka paralajmëruar se do të godasë urat dhe centralet iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Çfarë ka të re nga të dyja palët?
Të dyja palët po shkëmbejnë kërcënime ndërsa afati i armëpushimit po afron. Trump ka deklaruar se Irani ose do të negociojë, ose do të përballet me pasoja të rënda. Ai gjithashtu ka konfirmuar se një delegacion amerikan synon të udhëtojë drejt Islamabadit. Nga ana tjetër, Irani këmbëngul se nuk do të negociojë nën presion. Zyrtarë iranianë kanë theksuar se në kushtet aktuale, bisedimet “nuk janë të pranueshme”. Sipas analistëve, çështja kryesore qëndron nëse SHBA do të ulë presionin dhe nëse Irani do të zbusë masat e tij të presionit.
Ja katër skenarët kryesorë:
- Skenari 1: Bisedimet zhvillohen dhe arrijnë një marrëveshje të përkohshme. Pakistani po përpiqet të sigurojë disa ditë negociatash. Nga pala amerikane pritet të marrin pjesë Vance, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Nëse Irani merr pjesë, delegacioni i tij pritet të drejtohet sërish nga Mohammad Bagher Ghalibaf. Objektivi do të ishte arritja e një mirëkuptimi të përkohshëm, i cili do të shtynte armëpushimin dhe do të fitonte kohë për një marrëveshje më të gjerë. Megjithatë, dallimet mbeten të mëdha për çështje si programi bërthamor, Ngushtica e Hormuzit, sanksionet dhe asetet e ngrira.
- Skenari 2: Bisedimet mbyllen pa përparim, por me zgjatje të armëpushimit. Sipas analistëve, pa kompromise nga të dyja palët, nuk ka gjasa për një marrëveshje reale. Trump vazhdon të kërkojë ndalimin total të pasurimit të uraniumit dhe dorëzimin e rezervave iraniane, kërkesa këto që Irani i ka refuzuar. Megjithatë, edhe pa përparim të dukshëm, palët mund të bien dakord për një zgjatje të përkohshme të armëpushimit.
- Skenari 3: Nuk ka bisedime, por armëpushimi zgjatet. Trump ka deklaruar se është pak e mundshme të zgjasë armëpushimin pa arritur një marrëveshje. Megjithatë, analistët sugjerojnë se një zgjatje në minutën e fundit nuk do të ishte një surprizë, edhe nëse Irani nuk do të shkonte në Islamabad. Kjo do të ishte vetëm një pauzë e brishtë, jo një stabilitet i qëndrueshëm, dhe rreziku i keqllogaritjeve do të mbetej i lartë.
- Skenari 4: Bisedimet dështojnë dhe armëpushimi skadon. Ky është skenari më i rrezikshëm. Trump ka thënë hapur se, nëse nuk ka marrëveshje, bombardimet mund të rifillojnë. Nga ana tjetër, Ghalibaf ka lënë të kuptohet se Irani është gati të nxjerrë “karta të reja” në fushën e betejës. Sipas analistëve, nëse armëpushimi shembet, përshkallëzimi mund të jetë i shpejtë dhe shumë i ashpër, me pasoja për të gjithë rajonin.
Al Jazeera, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL
