“Irani ka qenë gjithmonë një kërcënim”/ Ish-diplomati: Qëndrimi i Shqipërisë? Në këtë fazë të luftës duhet përcaktuar qartë!
Ish-diplomati Arben Çejku, i ftuar në “News24”, ka diskutuar luftën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit.
Gjatë intervistës, Çejku u shpreh se nëse lufta do të zgjasë, pasojat do të jenë më të rënda, duke prekur edhe sferën ekonomike.
“Kjo është një luftë që tashmë po ndodh dhe e mira do të ishte të përfundonte sa më shpejt. Duhet të kuptojmë se goditja është edhe financiare apo ekonomike pasi sjell pasoja shumë të rënda”, tha ai.
Ai shtoi se Irani, në retorikën e tij dhe në përpjekje për përgatitje bërthamore, herë pas here ka kërcënuar Izraelin me zhdukje dhe ka qenë gjithmonë në konflikt të hapur me të. Kjo, sipas tij, ka çuar në këtë konflikt të pashmangshëm.
“Në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe Irani kanë qenë dy faktorë. Irani ka fuqitë e veta dhe gjithmonë është përgatitur për betejë… SHBA sot janë një fuqi e fortë botërore. Rusia, në konfliktin e saj me Ukrainën, ka treguar dobësi. Irani është një vend që ka pasur dhe ka kapacitete për prodhimin e armëve bërthamore. Ky është një kërcënim bërthamor dhe kur ka kërcënuar Izraelin me zhdukje, e ka kërcënuar me pretendimin për ta goditur me armë bërthamore. Por edhe sot që flasim, rreziku është i madh sepse nuk i dimë kush i kontrollon këto armë bërthamore”, shtoi ai.
Ish-diplomati komentoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë lidhur me këtë luftë dhe përshkallëzimin e sulmeve, duke theksuar se është e rëndësishme që në këtë fazë Shqipëria të përcaktojë qartë qëndrimin e saj.
“Qëndrimi i Shqipërisë? Përtej çdo simpatie për popullin iranian, sepse civilët janë të pafajshëm, por të pafajshëm ishin edhe ata që u masakruan nga Ajatollahu. Sot, në këto rrethana, ne duhet të përcaktojmë qëndrimin tonë. Edhe vendet e tjera po ashtu duhet të përcaktojnë qëndrimin e tyre.”
