Lufta në Ukrainë: 5 vite, viktima, negociata dhe shpresa për paqe

Lufta në Ukrainë hyn në vitin e pestë.

Ukrainasit, me lule në duar ose duke ndezur qirinj, përkujtojnë të vdekurit në luftën e nisur nga Rusia katër vjet më parë. Ceremonitë të ndryshme po zhvillohen nëpër qytete dhe qyteza ukrainase. Në Kiev, është mbajtur një minutë heshtje në shenjë respekti për të rënët. Në Lviv, shumë fëmijë janë parë duke u lutur për paqe në kishë. Në Buça, banorët rikujtuan mizoritë e kryera nga ushtarët rusë, pak pas nisjes së pushtimit më 2022.

Në adresimin e tij për të shënuar përvjetorin e katërt të luftës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina do të bëjë gjithçka për të siguruar paqe dhe drejtësi. “Putini nuk i ka arritur synimet e tij. Nuk i ka thyer ukrainasit. Ai nuk e ka fituar këtë luftë. Ne i kemi ruajtur ukrainasit dhe do të bëjmë gjithçka për të garantuar paqe dhe drejtësi,” ka thënë ai përmes një video-adresimi të lëshuar më 24 shkurt.

Zelensky ka shtuar se do të mirëpriste në Ukrainë edhe presidentin amerikan, Donald Trump. “Vetëm duke e vizituar Ukrainën dhe duke i parë nga afër vështirësitë në jetën tonë, dhe duke e parë këtë det dhimbjesh, dikush mund ta kuptojë se çfarë bën lufta,” deklaroi ai.

Lufta ka hyrë në vitin e pestë – konflikti më i madh i armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – teksa trupat ushtarake ukrainase mbrojnë vijën e frontit nga sulmet e ashpra në llogore të ngrira. Përgjatë gjithë kësaj kohe, civilët janë përballur me sulme masive me dronë dhe raketa, të cilat kanë dëmtuar rëndë sistemin energjetik, mes motit të acartë të dimrit.

Shifrat për viktimat ndryshojnë. Sipas një raporti të fundit, numri i të vrarëve, plagosurve dhe të zhdukurve besohet se arrin deri në 1.2 milionë rusë dhe 500-600.000 ukrainas. Konflikti gjithashtu, ka zhvendosur miliona ukrainas nga shtëpitë e tyre. Banka Botërore ka vlerësuar se rimëkëmbja e ekonomisë ukrainase do të kushtonte 588 miliardë dollarë brenda një dekade, por që ky proces mund të fillojë vetëm pas përfundimit të luftës.

Bisedimet për paqe

Negociatat për paqe, të cilat presidenti amerikan Donald Trump synon t’i nisë pasi të marrë mandatin presidencial në janar të vitit 2025, nuk kanë shënuar përparim të madh. Megjithatë, autoritetet ukrainase bëjnë me dije se raunde bisedimesh do të vazhdojnë të zhvillohen më vonë gjatë javës.

Në raundin e fundit të bisedimeve, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se është arritur “përparim i dukshëm”, por pa dhënë hollësi të mëtejshme. Të dyja palët janë pajtuar të punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje.

“Mendoj që me kalimin e kohës, të dyja palët po vërejnë një rritje presioni – si ekonomik, ashtu edhe sa i përket politikës së jashtme – nga Shtetet e Bashkuara,” tha analisti politik Anton Penkovsky për televizionin Current Time të Radios Evropa e Lirë. Ai shtoi se gjithnjë e më shumë po dëgjohen pyetje specifike për territoret dhe çështjen e Donbasit.

Pas disa muajsh bisedime, çështja territoriale mbetet një nga pengesat kryesore për paqe. Rusia kërkon nga Ukraina të heqë dorë nga territori që zotëron në rajonin e Donbasit, pavarësisht se nuk ka arritur ta marrë atë me forcë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar të gjitha diskutimet në këtë drejtim, duke thënë se do të duhet të mbahet një referendum, por beson se ukrainasit nuk do të pajtoheshin kurrë me dorëzimin e tokës.

Ceremonitë në Kiev

Më 24 shkurt, ditën e përvjetorit, Zelensky do të mbajë fjalim me video-lidhje para Parlamentit Evropian dhe do të presë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Kiev. Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare përkujtimore dhe do të shohin nga afër infrastrukturën e energjisë, të dëmtuar nga sulmet ruse me raketa, sipas komunikatave për shtyp të BE-së.

Kombet evropiane janë përpjekur të mbushin zbrazëtinë prej kur presidenti Trump ka vendosur të zvogëlojë në masë të madhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Nën skemën e NATO-s, shtetet evropiane tani blejnë armë amerikane dhe pajisje të tjera ushtarake për Ukrainën, teksa vazhdojnë të dërgojnë edhe furnizime të veta në Kiev.

Vitin e kaluar, disa vende evropiane, plus Kanada dhe aleatë të tjerë, formuan atë që njihet si “Koalicioni i Vullnetit” për të koordinuar mbështetjen ukrainase dhe për të bërë përgatitje për një mision potencial paqeruajtës pas përfundimit të luftës. Ky koalicion do të mbajë një video-konferencë më 24 shkurt, nën udhëheqjen e kryeministrit britanik, Keir Starmer, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Garancitë e sigurisë

Angazhimi i trupave ushtarake perëndimore në Ukrainë është kërkesë edhe e Kievit. Ai kërkon garanci sigurie, në mënyrë që Moska të mos shfrytëzojë ndonjë pushim vetëm për t’u riarmatosur dhe për të kryer sulme të tjera në të ardhmen. Kjo është gjithashtu një çështje problematike, pasi zyrtarët e Kremlinit nuk e pranojnë idenë e angazhimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

Shumë analistë besojnë se Rusia nuk është e interesuar për paqe. “Plani i saj është t’i dërmojë kapacitetet e Ukrainës për të rezistuar,” shkroi Jack Watling nga Instituti Royal United Services më 23 shkurt. “Rusët besojnë se mund ta shtyjnë përpara luftën deri më 2027 dhe e shohin procesin aktual të negociatave si mjet për ta futur në pykë aleancën transatlantike.”

Me 23 shkurt, teksa u ka dhënë medalje disa ushtarëve që kanë luftuar në Ukrainë, Putin nuk ka dhënë sinjale se synon ndaljen e luftës. “Ju qëndroni me vendosmëri për Rusinë,” u tha ai ushtarëve. “Ne i nderojmë të gjithë ata që duke rrezikuar jetën e tyre, por me kurajë dhe trimëri, me dashuri për Rusinë, i mbrojnë kufijtë tanë,” deklaroi ai, duke përsëritur qëndrimin se Rusia po mbron veten, ndërkohë që po pushton pjesë të mëdha të territorit të Ukrainës dhe ka ambicie edhe për më shumë.

Duke folur për një ekip të Radios Evropa e Lirë në Kramatorsk, një qytezë në lindje të Ukrainës që është nën sulme të vazhdueshme ruse, një banore lokale shprehu dëshirën e madhe për paqen që e presin të gjithë në Ukrainë. “Uroj që të pajtohen për diçka të mirë. Lutemi për këtë. Njerëzit kanë vuajtur aq shumë,” tha ajo. Teksa ajo e përfundoi urimin, një shpërthim i madh u dëgjua në afërsi.

Scroll to Top