Lufta në Ukrainë/ Kremlini: Po bëhen përparime në bisedimet me SHBA-në
Kremlini ka deklaruar se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë përparim në bisedimet për paqen në Ukrainë dhe se Moska është e gatshme të vazhdojë punën me ekipin aktual amerikan.
Vladimir Putin zhvilloi pesë orë bisedime me dy të dërguar amerikanë të martën në mbrëmje, gjatë të cilave Kremlini tha se kishte pranuar disa elementë.
Presidenti rus përsëriti më pas pretendimin e Rusisë për kontroll të plotë të Donbasit të Ukrainës, duke deklaruar se Moska do të merrte kontrollin e plotë të rajonit me forcë nëse trupat ukrainase nuk tërhiqen.
Donald Trump komentoi se takimi i kësaj jave ishte “mjaft i mirë”, por se rruga përpara mbetet e paqartë.
“Sipas mendimit tim, po bëjmë përparim në negociatat bazë me pjesëmarrjen e presidentit tonë. Kjo është inkurajuese dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë me këtë ekip amerikan,” tha Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Mediat e huaja raportojnë se Kremlini pret reagimin e kolegëve amerikanë ndaj bisedimeve të së martës.
Ukraina dëshiron një armëpushim të menjëhershëm dhe akuzon Putinin se pretendon të jetë i interesuar në bisedimet e paqes, ndërsa vazhdon luftën.
Në të njëjtën kohë, Kievi shpreh shqetësimin se Trump dhe Putin mund të arrijnë një marrëveshje që do ta detyronte Ukrainën të pranonte kushte të pafavorshme dhe ta linte të prekshme ndaj një sulmi të ri nga Rusia në të ardhmen.
