Zelensky: SHBA kërkon fundin e luftës deri në qershor, presion ndaj Kremlinit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një afat deri në qershor për Ukrainën dhe Rusinë për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Nëse ky afat nuk respektohet, administrata Trump pritet t’i bëjë presion të dyja palëve për të arritur një marrëveshje, raportoi AP.
“Amerikanët po propozojnë që palët të mbyllin luftën deri në fillim të kësaj vere dhe me shumë gjasa do t’u bëjnë presion palëve pikërisht për të ndjekur këtë agjendë”, ka thënë Zelensky. Ai shtoi: “Ata thonë se duan të bëjnë gjithçka deri në qershor. Dhe do të bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund luftës”.
Sipas Zelenskit, SHBA-ja ka propozuar mbajtjen e raundit tjetër të bisedimeve javën e ardhshme në territorin amerikan, dhe Ukraina e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi nuk rezultuan në një marrëveshje të rëndësishme mes palëve, pasi secila palë ngulte këmbë në kërkesat e saj. Rusia po kërkon që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi, ku luftimet mbeten intensive – një kusht që Kievi po ashtu insiston se nuk do ta pranojë kurrë.
Ndërkohë, gjatë natës së 7 shkurtit, raketa dhe dronë rusë goditën termocentrale dhe rrjete të energjisë elektrike në Ukrainë. Këto sulme shkaktuan ndërprerje të njëpasnjëshme të energjisë elektrike dhe shtuan presionin mbi një rrjet tashmë të dëmtuar nga javë të tëra sulmesh, sipas autoriteteve ukrainase.
