PAMJE TË RËNDA: Policia braziliane në luftë me bandat në Rio, mbi 130 të vrarë dhe kaos në qytet
Mbi 130 persona kanë humbur jetën, ndërsa orë të tëra shkëmbimi zjarri, autobusë të djegur të përdorur si barrikada dhe luftime guerile kanë shndërruar rrugët e Rio de Janeiros në një fushëbeteje. Ky operacion policor kundër trafikantëve të drogës, i kryer nga forcat speciale të policisë të quajtura “Comando Vermelho” (Komanda e Kuqe) në favelat Alemao dhe Penha, shënon një nga ditët më të dhunshme në historinë e kohëve të fundit të qytetit.
Guvernatori i Shtetit të Rio de Janeiros, Claudio Castro, e ka përshëndetur operacionin si një sukses, duke e quajtur atë “operacioni më i madh i këtij lloji në historinë e qytetit”. Megjithatë, Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva është shprehur “i tmerruar” nga numri i viktimave. Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë Ricardo Lewandowski ka raportuar se kreu i shtetit ishte “i befasuar që një operacion i kësaj madhësie ishte organizuar pa informuar qeverinë federale”.
Gjatë operacionit, i cili konsiderohet më i madhi për nga numri i viktimave në Brazil, janë sekuestruar 93 pushkë dhe më shumë se gjysmë ton drogë, sipas një deklarate nga autoritetet lokale. Këto të fundit theksojnë se viktimat “i bënë rezistencë veprimeve të policisë”.
Kriminelët nga organizatat më të fuqishme kriminale të Rio kanë shkaktuar kaos në të gjithë qytetin. Ata kanë ngritur postblloqe të improvizuara nga veriu deri në qendrën historike dhe u kanë vënë flakën autobusëve për të penguar trafikun, duke nxitur hakmarrje. Mijëra anëtarë të grupit, të cilët kontrollojnë shumicën e favelave, kanë zhvilluar luftime guerile. Në disa zona, kriminelët u kanë urdhëruar dyqanxhinjtë të ulin qepenat dhe të mbyllin dyert.
Shqetësimi po rritet pasi errësira në orët në vijim mund të çojë në aktivitete të mëtejshme kriminale. Autoritetet bashkiake e kanë ngritur statusin e alarmit në “Nivelin 2” për shkak të kaosit në trafik dhe rreziqeve të sigurisë për banorët.
Kryebashkiaku Eduardo Paes ka deklaruar se Rio “nuk mund dhe nuk do të mbahet peng nga kriminelët që duan të mbjellin frikë në rrugë”. Bastisja, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 2 500 oficerë që nga mëngjesi i sotëm, është ende duke vijuar. Katër nga viktimat janë oficerë policie. Numri i viktimave ka të ngjarë të rritet më tej.
Në zonën e prekur nga operacioni banojnë afërsisht 280 000 njerëz. Sipas autoriteteve bashkiake, 45 shkolla janë mbyllur, ndërsa të gjitha klinikat dhe qendrat shëndetësore kanë pezulluar operacionet.
