Lula synon mandatin e katërt presidencial në Brazil 2026

Lula da Silva synon mandatin e katërt presidencial në Brazil, pavarësisht moshës

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ka njoftuar se do të kandidojë për një mandat të katërt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026. Lula da Silva, i cili u rikthye në presidencë në vitin 2023 pas fitores ndaj presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, e konfirmoi vendimin e tij gjatë një fjalimi në Xhakartë, kryeqytetin e Indonezisë.

“Jam pothuajse 80 vjeç, por mund të jeni të sigurt se kam të njëjtën energji që kisha kur isha 30 vjeç. Dhe do të kandidoj për një mandat të katërt në Brazil”, deklaroi Lula, duke shtuar se ditëlindjen e tij e feston të hënën.

Edhe pse i afrohet moshës 80-vjeçare, Lula mbetet pa dyshim figura më me ndikim në të majtën braziliane, siç vëren edhe revista Guardian. Ky pozicion, ish-udhëheqësi i sindikatës e ka ruajtur për 40 vitet e fundit. Nëse zgjidhet, ai do të jetë 85 vjeç në përfundim të mandatit të tij të katërt dhe do të bëhet presidenti i vetëm i zgjedhur në mënyrë demokratike i Brazilit që ka kaluar 16 vjet në detyrë.

Vendimi i tetëdhjetëvjeçarit Lula për të kërkuar një mandat tjetër ka ngritur pikëpyetje mes brazilianëve, duke iu referuar edhe “fushatës katastrofike” të Joe Biden për vitin 2024, të cilën presidenti amerikan e braktisi në mes të një debati me Donald Trump. Megjithatë, Fernando Morais, një biograf dhe mik i Lulës, ka theksuar se presidenti brazilian, i cili frekuenton palestër, është në gjendje të shkëlqyer fizike dhe mendore. Ai nuk ka pirë asnjë cigare që kur e la duhanin pas fitores ndaj kancerit të fytit, pothuajse 15 vjet më parë.

Scroll to Top