Luvri rrit çmimet me 45% pas grabitjes: probleme dhe kritika

Pas grabitjes spektakolare, Muzeu i Luvrit rrit çmimet e biletave me 45%

Muzeu i Luvrit ka vendosur të rrisë çmimin e biletave për vizitorët nga jashtë Zonës Ekonomike Evropiane me 45%, duke filluar nga data 14 janar 2026.

Sipas vendimit të Bordit të Drejtorëve të Luvrit, qytetarët nga vende të tjera jashtë Bashkimit Evropian, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë do të paguajnë 32 euro për hyrjen, ndryshe nga 22 euro që kushtojnë aktualisht.

Kjo rritje ka të bëjë kryesisht me vizitorët amerikanë, të cilët përbëjnë grupin më të madh të vizitorëve të huaj, por gjithashtu edhe me ata kinezë, të cilët renditen të tretët, sipas raportit të aktivitetit të muzeut për vitin 2024.

Mediat e huaja raportojnë se në vitin 2023, Luvri priti 8.7 milionë vizitorë, nga të cilët 69% ishin të huaj.

Pas vjedhjes spektakolare të datës 19 tetor, menaxhmenti i muzeut vlerëson se rritja e çmimit të biletave do të gjenerojë 15 deri në 20 milionë euro shtesë në vit. Këto fonde do të përdoren për adresimin e problemeve strukturore të institucionit.

Një raport i fundit nga Gjykata e Auditorëve paralajmëron se Luvri përballet me nevojën për investime të mëdha, të cilat nuk është në gjendje t’i financojë, veçanërisht për shkak të mungesës së përparësisë së shumë projekteve në zhvillim.

Vjedhja e tetorit zbuloi gjithashtu, sipas hetimit administrativ, pajisje të pamjaftueshme sigurie, sidomos në lidhje me mbrojtjen e xhevahireve të çmuara mbretërore.

Rritja e çmimit të biletave u propozua fillimisht në janar nga Ministrja Franceze e Kulturës, Rachida Dati. Ajo theksoi se qëllimi ishte të gjendeshin burime të reja, pas paralajmërimeve nga presidenti i muzeut, Laurence de Carre, lidhur me gjendjen e objekteve.

“Kushtet e vizitës dhe të punës nuk korrespondojnë me nivelin e Luvrit,” theksoi ministrja, duke shtuar se të ardhurat do të kontribuonin ndjeshëm në planin ambicioz të renovimit të muzeut, të cilin Gjykata e Auditorëve vlerëson se do të tejkalojë një miliard euro.

Megjithatë, sindikatat po reagojnë fuqishëm, duke përmendur karakterin universal të Luvrit dhe nevojën për qasje të barabartë në koleksionet e tij. Punëtorët gjithashtu po shprehin shqetësim për rritjen e ngarkesës së punës, pasi do të jetë e nevojshme të kontrollohet kombësia e vizitorëve.

Scroll to Top