Luvri zhvendos thesaret pas grabitjes me vlerë 102 milionë $

Muzeu i Luvrit ka zhvendosur disa nga objektet e tij më të çmuara në Bankën e Francës, pas një grabitjeje spektakolare të ndodhur javën e kaluar, e cila nxori në pah cenueshmërinë e këtij muzeu të njohur botërisht.

Transferimi i këtyre objekteve të veçanta, të cilat përfshijnë bizhuteritë e kurorës franceze të ekspozuara në “Sallën e Apolonit”, u krye të premten, nën shoqërimin e policisë sekrete, sipas radios franceze RTL. Kjo nismë raportohet të ketë ardhur nga burime të brendshme që preferuan të mbeten anonime.

Banka e Francës, e cila strehon rezervat e arit të vendit në një thesar të sigurt 27 metra nën tokë, ndodhet vetëm 500 metra larg Luvrit, në bregun e djathtë të lumit Sena.

Siç raporton Reuters, as Muzeu i Luvrit, as Banka e Francës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Më 19 tetor, grabitësit arritën të vidhnin tetë bizhuteri me vlerë rreth 102 milionë dollarë nga koleksioni i Luvrit. Kjo ngjarje zbuloi mangësi të mëdha në sigurinë e muzeut, pasi hajdutët hynë në institucionin më të vizituar në botë duke përdorur një vinç për të thyer një dritare në katin e sipërm, ndërkohë që muzeu ishte ende i hapur për publikun. Ata u larguan nga vendi i ngjarjes me motoçikleta.

Lajmi për grabitjen bëri bujë ndërkombëtarisht dhe shkaktoi një debat publik në Francë, ku shumë e konsideruan ngjarjen si një poshtërim kombëtar.

Scroll to Top