LVV e Albin Kurtit fiton zgjedhjet në Kosovë! LDK merr përgjegjësinë për humbjen
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka deklaruar se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt dhe pa incidente. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 44%.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, pas numërimit të mbi 95% të votave, partia e Albin Kurtit ka fituar rreth 49.8% të votave.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta, duke fituar pak më shumë se 21% të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pozicionohet e treta me rreth 13.8%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar pak më pak se 6% të votave. Lista Srpska, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar, ka fituar rreth 3.5% të votave.
Në Kuvend do të hyjnë gjithashtu partitë e tjera të minoriteteve. Për minoritetin serb janë të rezervuara 10 vende në Kuvend, si dhe 10 vende të tjera për minoritetet e tjera. Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 vende.
Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në votime ditën e diel ishte rreth 44%, një shifër pak më e lartë se në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti.
LDK dhe përgjegjësia
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, partia e të cilit u rendit e treta, ka pranuar përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje, duke theksuar se nuk ka arritur ta dërgojë LDK-në aty ku synonte. Abdixhiku ka uruar fituesin e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të zhvilluara më 28 dhjetor, ishin të dytat me radhë brenda vitit. Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të formojnë institucionet e reja për më shumë se dhjetë muaj.
Qendrat e votimit, mbi 900 në total, ishin të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 2,076,290 votues, sipas KQZ-së.
Procesi i votimit për qytetarët jashtë Kosovës u zhvillua një ditë më parë nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës në 18 shtete.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit garuan 22 subjekte politike: 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Gjithsej 1,180 kandidatë konkurruan për 120 vendet në Kuvendin e Kosovës, nga të cilat 20 ulëse janë të garantuara për minoritetet.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit në Kosovë u vëzhguan nga rreth 8,600 vëzhgues, shumica e të cilëve vendorë, si dhe një numër më i vogël ndërkombëtarësh, përfshirë 10 vëzhgues nga Parlamenti Evropian. (Burimi: DW)
