Macron: Izraeli duhet të fillojë tërheqjen e trupave nga Libani
Paralelisht me vendosjen e një armëpushimi mes dy vendeve, Izraeli duhet të fillojë tërheqjen e trupave të tij nga territori libanez. Kështu shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron në rrjetin social “X” pas bisedës me homologun e tij libanez Joseph Aoun, Kryeministrin Nawaf Salam dhe Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Nabih Berri.
“U riafirmuam secilit prej tyre angazhimin e Francës ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit. Vendosja e një regjimi të fortë armëpushimi, që duhet të respektohet nga të gjitha palët, duhet të lejojë tërheqjen e trupave izraelite nga territori libanez dhe nisjen e një procesi paralel të rivendosjes së Forcave të Armatosura Libaneze për të siguruar ushtrimin e së drejtës ekskluzive të Shtetit për të përdorur forcën”, shkroi ai.
Sipas Macron, Franca është e gatshme të ofrojë mbështetje konkrete për këtë proces dhe të mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare në javët e ardhshme, së bashku me qeverinë libaneze, për të forcuar Forcat e Armatosura libaneze, si dhe për të përmbushur nevojat e të zhvendosurve.
