Maduro betohet për besnikëri absolute ndaj popullit venezuelian

Maduro betohet për “besnikëri absolute” ndaj popullit venezuelian

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi të hënën se i betohet për “besnikëri absolute” popullit venezuelian, në një periudhë të tensioneve të shtuara me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

Maduro, i rrethuar nga zyrtarë të tjerë të lartë, foli para një turme të pranishme jashtë pallatit presidencial. Ky tubim u organizua pasi qeveria thirri një marshim për të betuar zyrtarët e rinj të partisë socialiste në pushtet, PSUV.

Tensionet mes dy vendeve janë duke u përshkallëzuar prej muajsh. Ato përfshijnë veprime nga ana e SHBA-së kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe, kërcënime të përsëritura nga Trump për zgjerimin e operacioneve ushtarake tokësore, si dhe cilësimin e Cartel de los Soles si organizatë terroriste e huaj nga administrata Trump, grup ky që, sipas tyre, përfshin edhe Maduron. Ai vetë mohon çdo aktivitet kriminal.

Të hënën, dy burime të informuara për çështjen deklaruan se Presidenti Donald Trump do të takohej me këshilltarët kryesorë për të diskutuar situatën në Venezuelë, pas konfirmimit të tij të dielën se kishte folur me Maduron.

“Jini të sigurt se, ashtu si u betova para trupit të komandantit tonë Chavez para se t’i thoja lamtumirë, besnikëri absolute me koston e jetës dhe qetësisë sime, ju betohem besnikëri absolute deri në momentin kur të mund të jetojmë këtë histori të bukur dhe heroike”, tha Maduro, duke iu referuar paraardhësit të tij Hugo Chavez. “Jini të sigurt se nuk do t’ju zhgënjej kurrë, kurrë, kurrë, kurrë.”

Maduro u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Cilia Flores, dhe Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, i cili mbante veshur një kapelë bejsbolli të kuqe me mbishkrimin “dyshimi është tradhti”, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Asambleja Kombëtare e Venezuelës pezulloi të hënën një seancë të jashtëzakonshme, e cila ishte planifikuar për të debatuar formimin e një komisioni për hetimin e sulmeve ndaj anijeve. Zyra e shtypit e Asamblesë njoftoi se seanca u riplanifikua për të martën, ditën e saj të rregullt të debatit.

Trupat amerikane kanë kryer të paktën 21 operacione kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor që nga shtatori, duke rezultuar në vdekjen e të paktën 83 personave.

Presidenti i Asamblesë, Jorge Rodriguez, kishte njoftuar seancën e së hënës gjatë fundjavës, pasi u takua me të afërmit e personave të vdekur. Ai deklaroi se masa kishte për qëllim mbrojtjen e familjeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit ” Balkanweb ” mjafton të klikoni dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Scroll to Top