Mali i Zi: Pingpongu politik ngadalëson rrugën drejt BE

“Pingpongu” institucional në Mal të Zi ngadalëson rrugën evropiane

Konflikti politik mes presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe Kuvendit për kthimin e ligjeve po e zvarrit edhe më tej procesin e integrimit evropian të këtij vendi. Kjo situatë vjen në një kohë kur Mali i Zi, edhe pa këto përplasje institucionale, ka shfaqur shenja ngecjeje në përmbushjen e detyrimeve të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Evropian.

Më 3 shkurt, presidenti Millatoviq ia ktheu Kuvendit një paketë ligjesh për rishqyrtim, duke shpjeguar se dëshironte që deputetët t’i lexonin dhe shqyrtonin me seriozitet. Ai theksoi në rrjetet sociale se “Reformat evropiane nuk nënkuptojnë thjesht ngritje dore në Kuvend, as miratim ligjesh pa debat dhe diskutim”.

Bëhet fjalë për një paketë prej 25 ligjesh, të cilat tashmë kanë marrë miratimin e Komisionit Evropian dhe janë të domosdoshme për Malin e Zi në mënyrë që të vazhdojë mbylljen e kapitujve në negociatat e anëtarësimit në BE.

Dy ditë më vonë, presidenti Millatoviq ndryshoi qëndrim dhe shpalli ligjet në fuqi. Ai argumentoi se kthimi i tyre në Kuvend, me shpresën që deputetët t’i lexonin dhe shqyrtonin seriozisht, sipas vlerësimit të tij, nuk do të kishte asnjë efekt praktik.

Kjo paketë ligjesh, e njohur në zhargonin politik si “ligjet blu”, kishte mbështetjen e Brukselit. Komisioni Evropian konfirmoi se ishte në dijeni për vendimin e presidentit të Malit të Zi për t’i shpallur ligjet. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, deklaroi: “Ne konfirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për synimin ambicioz të Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave deri në fund të vitit, me kusht që të përmbushen plotësisht të gjitha kushtet e nevojshme”.

Megjithatë, ky veprim nxori në pah një problem më të thellë: Mali i Zi, i cili tani po hyn në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit në BE, ka filluar të shfaqë shenja ngadalësimi të procesit. Ambicia për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit nuk është vetëm e Malit të Zi, por edhe e institucioneve evropiane. Kjo, së paku teorikisht, do të bënte të realizueshëm sloganin shtetëror “28 deri më 28”, që nënkupton se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2028.

Procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Anëtarësimit, e cila nënshkruhet pas përfundimit zyrtar të negociatave, zakonisht zgjat nga një deri në tre vjet, pasi duhet të kalojë në të gjitha shtetet aktuale anëtare të BE-së dhe në shtetin që i bashkohet unionit.

Mali i Zi, i cili shpesh konsiderohet si lider në procesin e zgjerimit të BE-së, po zvarrit ritmin e reformave dhe të negociatave. Sipas zyrtarëve evropianë, plotësimi i pozitave kyç, si gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, tashmë përbën një pengesë serioze për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit.

Nëse presidenti Millatoviq do të kishte vendosur të frenonte të ashtuquajturat “ligje blu”, kjo do të kishte rrezikuar konferencat e ardhshme ndërqeveritare të planifikuara për muajt mars dhe prill, në të cilat mund të mbyllen disa kapituj negociues, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë. Mercier konfirmoi gjithashtu se “Vonesat e vazhdueshme në procese kyç, si miratimi i ligjeve dhe emërimi i pozicioneve të lira, nëse mbeten të pazgjidhura, mund të përbëjnë një pengesë serioze për realizimin e ambicies së Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit”.

Eurodeputeti Tomisllav Sokoll, anëtar i delegacionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Malit të Zi, paralajmëroi se ngadalësimi i ritmit të miratimit të ligjeve të nevojshme për mbylljen e kapitujve, “mund të ketë pasoja afatgjate për rrugën evropiane të shtetit”. Ai shtoi në rrjetet sociale se “Dritarja e BE-së nuk do të jetë e hapur përgjithmonë, dhe dihet se kush dëshiron ta mbyllë atë. Prandaj, është e rëndësishme të mos humbet një moment që rrallëherë përsëritet”.

Në janar, Mali i Zi mbylli përkohësisht kapitullin 32 dhe aktualisht ka 13 kapituj të mbyllura nga gjithsej 33 në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë gjysmës së parë të vitit, pritet që Bashkimi Evropian të miratojë formimin e grupeve punuese që do të angazhohen në hartimin e draftit të Marrëveshjes së Anëtarësimit. Teksti i kësaj marrëveshjeje përcakton kushtet e anëtarësimit, marrëveshjet kalimtare, masat mbrojtëse, kontributin buxhetor, numrin e deputetëve në Parlamentin Evropian, votat në Këshillin e BE-së, si dhe komisionarin që do ta përfaqësojë Malin e Zi.

Sipas parimeve negociuese, marrëveshjet e arritura gjatë negociatave për kapitujt e veçantë, edhe kur janë të pjesshme, nuk konsiderohen përfundimtare derisa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjithë kapitujt. Mali i Zi duhet të mbyllë edhe 23 kapituj negociues, ndërsa për mbylljen e secilit prej tyre kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian./REL

Scroll to Top