Mamdani kryebashkiak i Nju Jorkut; 2 guvernatore femra

Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut; Trump shprehet: Humba sepse nuk isha në fletëvotim

Partia Demokrate ka fituar drejtimin e qytetit të Nju Jorkut, si dhe postet e guvernatorëve në New Jersey dhe Virginia. Këto dy shtete, deri tani, konsideroheshin si terren i lëkundur për Partinë Republikane.

Në një reagim të tij në platformën “Truth Social”, Donald Trump pranoi humbjen, por theksoi se mungesa e tij në fletën e votimit dhe mbyllja e qeverisë ishin arsyet pse republikanët humbën zgjedhjet.

Zohran Mamdani, kryebashkiaku më i ri i Nju Jorkut në më shumë se një shekull

Zohran Mamdani, me origjinë nga një nënë indiane dhe një baba nga Uganda, është bërë kryebashkiaku më i ri i qytetit të Nju Jorkut në më shumë se një shekull. Ai e nisi karrierën si kongresmen shtetëror i panjohur, duke marrë mbështetjen e krahut progresiv të partisë, përfshirë Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez. Në fund, edhe Barack Obama i dha atij një mbështetje të tërthortë, por jo zyrtare.

Mamdani fitoi me mbi 50% të votave, duke ruajtur një diferencë prej rreth 10 pikësh ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo. Cuomo kandidoi si i pavarur me mbështetjen e Donald Trump dhe Elon Musk. Kandidati republikan, Curtis Sliwa, arriti vetëm 10% të votave.

Dy guvernatore të para femra në New Jersey dhe Virginia

Në Virginia, demokratët bënë histori duke zgjedhur Abigail Spanberger, ish-operative e CIA-s, si guvernatoren e parë femër të shtetit. Ajo fitoi ndaj kandidatit republikan të mbështetur nga Trump dhe solli në ekipin e saj Ghazala Hashmi, senatoren e parë myslimane dhe me origjinë indiane në nivel shtetëror.

Në New Jersey, fitorja i takoi Mikie Sherrill, një ish-prokurore federale dhe veterane e Marinës, e cila mundi biznesmenin republikan Jack Ciattarelli. Sherrill u bë gruaja e parë që drejton “Shtetin e Kopshtit”.

Scroll to Top