Siti i Guardiolës, testi i së vërtetës për Salah & Co te Liverpuli
Manchester City pret të dielën Liverpoolin në supersfiden e javës së Premier Ligës, në stadiumin “Etihad”. Të dyja skuadrat i drejtohen kësaj ndeshjeje pas paraqitjeve mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve. Siti shkatërroi Borussia Dortmundin 4-1, ndërsa Liverpooli regjistroi një fitore 1-0 kundër Real Madridit.
GJENDJA
Siti është një pikë përpara “Reds” para përballjes së së dielës – një shenjë e përmirësimit të tyre nga sezoni i kaluar. Skuadra e Pep Guardiolës është bërë më pak e orientuar drejt posedimit të topit sesa në sezonet e mëparshme, duke u renditur e katërta në mesataren e posedimit për ndeshje në kampionat. Por ata krenohen me sulmin më të mirë, ndërsa vetëm Arsenali ka pësuar më pak gola se të besuarit e Guardiolës.
Nga ana tjetër, “Të Kuqtë” kanë pasur një fillim të dobët të sezonit, duke humbur katër ndeshje radhazi në kampionat, përpara se të ktheheshin në fitore kundër Aston Villas fundjavën e kaluar. Liverpooli ka një nga sulmet më të mira, por dobësitë e tyre mbrojtëse i kanë kushtuar shtrenjtë. Pavarësisht se kanë mbajtur portën e paprekur në dy ndeshjet e fundit, problemet mbrojtëse mund të ekspozohen kundër Sitit, sulmi i të cilit udhëhiqet nga Haaland.
PRECEDENTËT
Siti ka fituar 60, ka barazuar 58 dhe ka humbur 110 ndeshje kundër Liverpoolit në të gjithë kompeticionet. Veçanërisht, Mohamed Salah ka shënuar 13 gola kundër “Citizens”, teksa vetëm kundër Tottenhamit dhe United ka shënuar më shumë.
Erling Braut Haaland është aktualisht golashënuesi më i mirë i Premier Ligës me 13 gola në 10 ndeshje. Ndërsa Dominik Szoboszlai është për momentin lojtari më i mirë i “Reds” këtë sezon dhe një nga mesfushorët më të mirë në Angli.
ARRITJA
Pep Guardiola do të drejtojë ndeshjen e 1000-të të karrierës së tij legjendare si trajner në përballjen e së dielës në stadiumin “Etihad”. Trajneri katalanas mori drejtimin e një skuadre për herë të parë 18 vjet më parë me Barcelona B dhe që atëherë ka revolucionarizuar futbollin modern përmes punës së tij në tre nga klubet më dominuese të Evropës: Barcelona, Bayern Munich dhe tani Manchester City.
I konsideruar gjerësisht si një nga trajnerët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Guardiola mori drejtimin e ekipit për ndeshjen e tij të 999-të si trajner të mërkurën në mbrëmje, kur skuadra e tij, “Qytetarët”, siguroi një fitore 4-1 në shtëpi ndaj Borussia Dortmundit në UEFA Champions League.
