“`html
Procesi më i komprometuar zgjedhor: çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë
Publikuar më 29.01.2026
“Procesi më i komprometuar zgjedhor” – kështu e përshkroi Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, të gjithë zhvillimin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë. Vërtetë, është e vështirë të gjendet diçka e ngjashme në të kaluarën.
Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra persona, kanë arrestuar dhjetëra dhe po i vazhdojnë hetimet për dyshime për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë. Si pasojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi për rinumërim të plotë të votave për kandidatë në të gjitha komunat e vendit. Votat për parti nuk u prekën.
Megjithëse shumë u habitën nga ngjarjet, për analistët politikë, manipulimi me vota duket të ketë qenë një “sekret publik”. Artan Muhaxhiri shprehet se kjo ka qenë një praktikë e pranuar nga të gjithë dhe asnjë parti politike nuk kishte interes të reagonte. Arsyeja, sipas tij, është se liderët dëshirojnë të kontrollojnë përzgjedhjen e deputetëve për të avancuar më lehtë agjendat e tyre.
“Këtë herë ishte një evolucion, mbase i rastësishëm i sistemit, sepse ndonjëherë mjafton që brenda sistemit të ekzistojë vetëm një person në pozitë të rëndësishme, i cili nuk është pjesë e skemës kriminale, dhe ta demaskojë atë. Fjala është për kryeprokurorin e Prizrenit, Petrit Kryeziun, i cili pati guximin të ngrejë zërin fuqishëm dhe shpejt kundër këtyre keqpërdorimeve, duke mos lejuar që kjo vjedhje e madhe industriale të mbulohej”, tha ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ndryshe nga Muhaxhiri, që fajin ia hedh udhëheqësive partiake, Agon Maliqi beson se kjo situatë mund të tregojë se liderët e partive politike ndoshta nuk i kanë strukturat e tyre nën kontroll si më parë. Ai thekson se edhe më herët është përfolur ndikimi i komisionerëve lokalë dhe bashkëpunimi ndërpartiak i numëruesve, të cilët, duke ardhur nga të njëjtat rajone, kanë interes të përbashkët për të bashkëpunuar.
REL ka provuar të marrë komente nga partitë kryesore shqiptare lidhur me këto pretendime, por ato nuk kanë qenë të qasshme.
Pse publiku mësoi tani për këtë “fenomen”?
Maliqi mendon se manipulimi i votave në një shkallë kaq të madhe – në disa raste është raportuar për dallim prej mbi 6.000 votash vetëm për një kandidat – mund të jetë mundësuar edhe nga ndryshimi i mënyrës së votimit. Në proceset e fundit zgjedhore, qytetarët mund të zgjidhnin deri në dhjetë kandidatë për deputetë, nga pesë sa kanë qenë më parë.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka përmendur edhe mundësinë që procesi i manipulimit të jetë lehtësuar për shkak të numrit më të vogël të vëzhguesve nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, për shkak të mungesës së fondeve. Eugen Cakolli nga ky rrjet ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës se fakti që numërimi i votave ka ndodhur më 31 dhjetor, 1 dhe 2 janar, mund të mos ketë pasur fare vëzhgim të punës së komisionerëve.
Për Muhaxhirin, edhe vendimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të caktuar 28 dhjetorin si ditë zgjedhjesh ka qenë absurd dhe kjo mund të ketë sjellë një mbikëqyrje më të vogël.
Si ndodhi manipulimi?
Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim i nënshtrohet disa kontrolleve. Fillimisht, fletëvotimi lexohet me zë të lartë nga një numërues, më pas shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën. Manipulimi besohet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Numëruesi mund ta ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër. Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi origjinal tregon diçka tjetër.
Koordinatorja për zgjedhje, Laura Pula, ka bërë të ditur se në hetime do të përfshihen edhe kandidatët të cilëve u janë shtuar vota. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatiti zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.
Çfarë flet kjo situatë për partitë?
Zyrtarë partiakë nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të mos amnistohen.
Por, Agon Maliqi beson se kjo nuk mjafton. “Ai dënim nuk do të duhej të ishte vetëm retorik; duhet të shihet në të ardhmen nëse këta komisionerë manipulues do të emërohen sërish në ato role, apo do të shpërblehen me role të tjera ekzekutive”.
Për Muhaxhirin, manipulimet treguan “ngjashmëritë ekstreme të partive”. “Ky është indikatori më i qartë se si funksionojnë partitë politike: në mënyrë jodemokratike, manipulative, dhe për këtë arsye nuk ka meritokraci. Ky është fakti kryesor që partitë nuk kanë ekspertizë, nuk kanë profesionistë të nivelit që do të duhej të kishin, dhe në vend të projekteve zhvillimore, ekonomike, socio-kulturore, kemi vetëm popullizëm e pseudo-patriotizëm”.
KQZ-ja beson se deri në fund të janarit do të përfundojë procesi i rinumërimit, duke hapur rrugën për certifikimin e rezultateve dhe më pas formimin e institucioneve të reja. Miratimi i buxhetit të shtetit, marrëveshjet ndërkombëtare dhe shmangia e zgjedhjeve të reja, për shkak të pozitës së presidentit, konsiderohen hapa jetikë që vendi të mos hyjë në një terren të pasqaruar më parë. /REL
“`
