Manuel Nojer: E ardhmja te Bajerni varet nga forma dhe shëndeti

Manuel Nojer: Shëndeti dhe forma, vendimtare për të ardhmen time te Bajerni

E ardhmja e portierit Manuel Nojer te skuadra e Bajernit të Mynihut mbetet ende e paqartë. Vetë 39-vjeçari ka folur për këtë çështje, duke theksuar se zhvillon bisedime të rregullta me klubin.

“Bisedojmë sa herë që takohemi. Jam plotësisht i qetë. Ajo që është e rëndësishme është ajo që bëjmë me ekipin,” u shpreh Nojer në një konferencë për shtyp, para ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër PSG. Ai shtoi gjithashtu se “do të jetë e rëndësishme se si ndihem. Po e marr kohën time, duhet të sigurohem që të qëndroj i shëndetshëm dhe të performoj mirë. Pastaj mund të flasim gjithmonë.”

Nojer sqaroi se për një zgjatje kontrate me Bajernin janë të nevojshëm disa faktorë. “Sigurisht që është një çështje e formës fizike, shëndetit, motivimit – dhe gjithashtu e asaj që do të ndodhë me klubin sezonin e ardhshëm,” tha ai.

Edhe trajneri Thomas Tuchel ka komentuar situatën e Nojer. “Bëhet fjalë pikërisht për faktorët që përmendi Manu. Nuk ka nevojë për asnjë lloj presioni kohe. Është një vendim i klubit, jo vetëm i Manut, as i imi. E rëndësishme është që ai ta shijoj lojën dhe të vazhdoj të luaj siç po bën. Momenti do të vij kur do të diskutohet,” theksoi Tuchel.

Kontrata aktuale e Manuel Nojer me kampionët rekord të Gjermanisë skadon në fund të sezonit. Drejtori ekzekutiv Jan-Kristian Dresen së fundmi refuzoi të komentonte në mënyrë specifike për të ardhmen e portierit numër një.

“Ka shumë argumente në favor të Manuel Nojer në përgjithësi, por aktualisht duam të përqendrohemi te sporti. Kemi thënë të njëjtën gjë edhe për lojtarë të tjerë në raste të ngjashme,” u cıtua shefi i Bajernit, duke shtuar: “Manuel nuk është nën asnjë presion dhe ne do të flasim në kohën e duhur.”

Ndërkohë, Bajerni ka marrë në konsideratë edhe pasues potencialë. Jonas Urbig, 22-vjeçari i transferuar nga Këlni në janar për shtatë milionë euro, ka bërë tre paraqitje për ekipin këtë sezon. Aleksander Nubel konsiderohet gjithashtu si një tjetër pasues i mundshëm, megjithatë, rikthimi i tij si titullar pas përfundimit të huazimit duket i pamundur.

Scroll to Top