Marina Berlusconi, vajza e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, ka reaguar me tone të forta ndaj një shkrimi të botuar në “Il Fatto Quotidiano” për lëvizjet në Forza Italia. Ajo ka mohuar kategorikisht çdo aludim për një hyrje të saj në politikë dhe e ka cilësuar artikullin si ofendues dhe me përmbajtje mizogjene.
Në një letër publike, drejtuesja e Fininvest dhe Mondadori, shprehet se gjuha e përdorur në artikull përçon “përçmim ndaj grave”. Ajo e krahason stilin e autorit me atë të një “njeriu primitiv” dhe sugjeron se kufizohet me forma të turpërimit publik.
Berlusconi i drejtohet drejtpërdrejt autorit, Pino Corrias, duke e akuzuar për qëndrime të rrënjosura në paragjykime gjinore dhe mentalitet patriarkal. Me ironi, ajo shton se i vjen keq për gratë që janë pjesë e jetës së tij.
Në të njëjtën deklaratë, ajo kritikon edhe linjën editoriale të gazetës, duke përmendur emra si Marco Travaglio dhe vetë Corrias, për të cilët thotë se sulmet e tyre i konsideron si “shenjë nderi”. Sipas saj, gazeta në fjalë ka ndërtuar identitetin e saj mbi një qëndrim të vazhdueshëm kundër familjes Berlusconi.
Reagimi i saj ka rindezur diskutimet në Itali mbi etikën e debatit publik dhe marrëdhënien mes mediave dhe figurave të njohura.
