Marka të njohura të modës po kufizojnë ose tërheqin prodhimin nga Shqipëria, siç thekson një raport i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Rritja e kostove të brendshme ka çuar në largimin e kompanive si Esprit, New Look, PVH, Bonprix, VF Corporation dhe Ralph Lauren. Benetton, që më parë kishte pesë furnizues në Shqipëri, tani nuk ka asnjë, ndërsa Stitch Fix ka ndërprerë porositë.
Inditex dhe Zalando gjithashtu kanë zvogëluar aktivitetin. Shkaku kryesor është zhvendosja drejt vendeve me kosto më të ulët, si Tunizia dhe Egjipti. Marka italiane Cotonella ka transferuar pjesërisht prodhimin në Uzbekistan për shkak të rritjes së kostove në Shqipëri, të shkaktuara nga zhvlerësimi i euros dhe rritja e pagës minimale.
Kral Shoes po zhvendos gjithashtu biznesin drejt Tunizisë. Italia, që ka pasur një prani të fortë në industrinë e Shqipërisë, po kërkon alternative. Varësia e sektorit të modës shqiptare nga tregje të caktuara e bën atë të prekshëm ndaj luhatjeve të porosive.
Pagat mesatare në sektorin fason janë 450–500 euro, por kufizimet në fuqinë punëtore pengojnë përmbushjen e porosive. Këto fabrika humbën klientë duke rritur çmimet për të përballuar zhvlerësimin e monedhës dhe rritjen e pagave. Pas pandemisë, edhe ulja e kërkesës globale ka nxitur markat të zhvendosin prodhimin në vende më ekonomike.
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve nga Shqipëria ranë me 16.8% në vitin 2024 krahasuar me vitin paraprak, sipas INSTAT. Tendenca negative ka vijuar edhe në tetëmujorin e parë të 2025-ës, me një rënie prej 1% të shitjeve jashtë vendit.