Këto janë kushtet e Memorandumit të Mirëkuptimit SHBA-Iran, duke përfshirë çështjet për Ngushticën e Hormuzit, armët bërthamore dhe Libanin
Memorandumi i mirëkuptimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit përfshin angazhime rreth armëve bërthamore, situatës në Liban dhe hapjes së Ngushticës së Hormuzit. Pikat kryesore të marrëveshjes janë zbuluar nga Kanali 12 izraelit.
Raporti i Barak Ravid thekson se çështja e uraniumit të pasuruar do të shtyhet për diskutim të mëvonshëm, në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, brenda dy muajve pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit.
Pikat kryesore të marrëveshjes përfshijnë:
- Irani, SHBA-të dhe aleatët e tyre do të ndërpresin armiqësitë, përfshirë ato në Liban.
- Irani ripërtërin angazhimin e tij për të mos zhvilluar ose blerë armë bërthamore.
- SHBA-të dhe Irani bien dakord për të zgjidhur çështjen e heqjes së uraniumit të pasuruar.
- SHBA-të dhe Irani do të diskutojnë pasurimin dhe nevojat bërthamore.
- Irani do të ruajë status quo-në në programin e tij bërthamor për sa kohë që vazhdojnë negociatat.
- Gjatë negociatave, SHBA-të do të heqin bllokadën detare, nuk do të vendosin sanksione të reja dhe nuk do të forcojnë praninë ushtarake në rajon.
- Brenda 60 ditëve, Irani do të marrë masat e nevojshme për të siguruar kalimin e sigurt dhe pa pagesë të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.
- SHBA-të janë të përkushtuara të vënë në dispozicion asetet e ngrira iraniane për përdorim me zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit.
- Nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare, SHBA-të do të tërheqin trupat e tyre brenda 30 ditësh dhe do të heqin të gjitha sanksionet ndaj Iranit.
- Çdo marrëveshje përfundimtare do të përfshijë një plan për krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Iranit.
- Gjatë negociatave, SHBA-të do t’i japin Iranit përjashtime të përkohshme nga sanksionet për shitjet e naftës.
- Do të zhvillohen negociata midis Iranit dhe Omanit, me pjesëmarrjen e vendeve të Gjirit, për të përcaktuar “Rregulloret për Lundrimin dhe Shërbimet Detare”.
Teksti i memorandumit, i publikuar në detaje nga rrjeti televiziv Al-Arabiya, thekson se Irani dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e tyre, deklarojnë ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, duke u zotuar të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit.
Marrëveshja përfundimtare do të konfirmojë dispozitat e këtyre neneve. Irani dhe SHBA-të zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe të përmbahen nga ndërhyrja në punët e brendshme të njeri-tjetrit.
Irani dhe SHBA-të janë të përkushtuara të negociojnë dhe arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditësh, afat i cili mund të zgjatet me pëlqim të ndërsjellë.
Menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, Shtetet e Bashkuara do të heqin bllokadën detare, do të parandalojnë çdo ndërhyrje ose pengesë kundër Iranit dhe do të rivendosin trafikun brenda 30 ditëve në kapacitet të plotë, duke e krahasuar atë me vëllimin e trafikut para luftës në anën iraniane.
Shtetet e Bashkuara angazhohen gjithashtu të tërheqin forcat e tyre nga zonat përreth brenda 30 ditëve nga marrëveshja përfundimtare.
Pas nënshkrimit të Memorandumit, Irani do të marrë masa të menjëhershme për rifillimin e trafikut të anijeve tregtare nga Gjiri Persik në Detin e Omanit dhe anasjelltas brenda 30 ditëve, në vëllimin e paraluftës, duke marrë parasysh nevojën për heqjen e pengesave teknike dhe neutralizimin e minat nga Irani.
SHBA-të, së bashku me partnerët rajonalë, janë të angazhuara të zhvillojnë një plan gjithëpërfshirës dhe të dakorduar reciprokisht për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Iranit, duke siguruar të paktën 300 miliardë dollarë financim. Mekanizmi për zbatimin e këtij plani, si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, do të vendoset brenda 60 ditëve.
SHBA-të zotohen të heqin të gjitha llojet e sanksioneve të vendosura ndaj Iranit, duke përfshirë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bordit të IAEA-s, si dhe sanksionet e njëanshme të SHBA-së, si parësore ashtu edhe dytësore, sipas një orari që do të bihet dakord si pjesë e marrëveshjes përfundimtare.
Irani ripërsërit se nuk do të ndërtojë kurrë armë bërthamore.
Irani dhe SHBA-të kanë rënë dakord që çështja e materialit të pasuruar dhe të gjitha çështjeve të tjera të marra parasysh në sektorin bërthamor, duke përfshirë nevojat bërthamore të Iranit, do të trajtohen në mënyrë të përshtatshme në një marrëveshje përfundimtare.
Irani dhe SHBA-të bien dakord që, në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare, do të ruajnë status quo-në: Irani do të ruajë status quo-në në lidhje me programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-të nuk do të vendosin sanksione të reja dhe nuk do të forcojnë forcat e tyre në rajon.
Shtetet e Bashkuara zotohen që, menjëherë pas nënshkrimit të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit dhe deri në datën e heqjes së sanksioneve, Departamenti i Thesarit i SHBA-së do të lëshojë përjashtime për eksportet e naftës bruto iraniane, produkteve petrokemike dhe derivateve të tyre, si dhe shërbimeve të lidhura me to, duke përfshirë bankare, sigurime dhe transport.
SHBA-të angazhohen që, në varësi të përparimit në negociatat drejt një marrëveshjeje përfundimtare, fondet dhe asetet e ngrira ose të kufizuara të Iranit do të lirohen dhe do të bëhen plotësisht të disponueshme. Këto fonde, pavarësisht vendndodhjes, do të përdoren për çdo pagesë për përfituesit përfundimtarë, sipas përcaktimit të Bankës Qendrore të Iranit, dhe do të jenë plotësisht të disponueshme.
Shtetet e Bashkuara angazhohen të lëshojnë të gjitha licencat dhe miratimet e nevojshme në përputhje me sa më sipër.
Irani dhe SHBA-të bien dakord që do të krijohet një mekanizëm zbatimi për të mbikëqyrur zbatimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare dhe pajtueshmërinë e ardhshme me angazhimet e saj.
Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi dhe marrjes së garancive për fillimin e zbatimit të neneve të caktuara, Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të fillojnë negociatat për një Marrëveshje Përfundimtare që do të prekë nenet e mbetura. Marrëveshja përfundimtare do të miratohet përmes një rezolute të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
