Marrëveshje Për Komitetin Prej 15 Anëtarësh Për Të Qeverisur Gazën
Qeveria egjiptiane njoftoi sot arritjen e një marrëveshjeje lidhur me emrat e anëtarëve të komisionit teknokratik palestinez prej 15 vetash. Ky komision do të marrë përsipër administrimin e Rripit të Gazës, si pjesë e planit paqësor të presidentit amerikan Donald Trump.
“Shpresojmë që pas kësaj marrëveshjeje, së shpejti të shpallet zyrtarisht përbërja e komisionit dhe më pas ai të vendoset në Rripin e Gazës për të menaxhuar jetën e përditshme dhe shërbimet bazë”, deklaroi ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelaty, pas bisedimeve të zhvilluara në Kajro.
Abdelaty theksoi se, pavarësisht krijimit të këtij organi të ri teknokratik për administrimin e Gazës gjatë një periudhe kalimtare, Egjipti nuk do të lejojë ndarjen politike të Rripit të Gazës nga Bregu Perëndimor. Ai nënvizoi rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete.
Ministri i Jashtëm egjiptian shprehu gjithashtu shpresën se emrat e 15 anëtarëve do të bëhen publikë së shpejti dhe do të nisë faza e dytë e planit paqësor të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën.
Sipas informacioneve, disa nga anëtarët e komisionit ndodhen aktualisht në Gaza, ndërsa të tjerë jashtë Rripit. Gazeta izraelite Haaretz raporton se komisioni fillimisht do të ketë selinë në Kajro, megjithëse kjo mund të kërkojë nga Izraeli rihapjen e pikës kufitare të Rafahut.
Ende nuk është e qartë se kur komisioni do të mund të nisë funksionimin, pasi Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet për të siguruar fondet e nevojshme për këtë nismë, me sukses të kufizuar deri tani.
Sipas mediave izraelite, komisioni do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër i Transportit i Autoritetit Palestinez.
