Marrëveshja me Kinën, Sekretari amerikan i Thesarit jep detaje: Prek sojën, metalet e rralla dhe shitjen e TikTok-ut
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka dhënë detaje mbi një marrëveshje mes SHBA-së dhe Kinës, duke theksuar se ajo përfshin fushat e metaleve të rralla dhe sojës. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur gjithashtu një marrëveshje që mundëson shitjen e TikTok.
Kërcënimi për vendosjen e tarifave 100% ndaj Kinës është “përjashtuar” pas bisedimeve tregtare me homologët kinezë, shpjegoi Sekretari i Thesarit të SHBA-së. Pas dy ditësh negociatash në Malajzi, ekipi kinez njoftoi gjithashtu arritjen e një “konsensusi bazë”, duke ulur kështu tensionet përpara takimit të shumëpritur midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping, javën e ardhshme.
