Nënshkruhet marrëveshja për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Polonisë
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, nënshkroi sot një marrëveshje për sigurimet shoqërore me Poloninë. Kjo marrëveshje sjell lajme shumë të mira për qytetarët shqiptarë dhe polakë që kanë jetuar ose punuar në secilin prej dy vendeve.
Marrëveshja garanton:
- Njohjen dhe totalizimin e periudhave të sigurimit.
- Të drejtën për përfitimin e pensionit të pleqërisë sipas moshës ligjore.
- Mbrojtjen nga humbja e të drejtave si pasojë e lëvizjes ndërmjet dy shteteve.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh pas nënshkrimit: “Marrëveshja synon të ofrojë siguri juridike dhe mbrojtje sociale për qytetarët, duke siguruar trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të fituara në sistemet e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve.”
Sipas saj, ky akt përbën një hap konkret në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë. Gjithashtu, ky është një progres i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, duke u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje konfirmon angazhimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit dhe për zgjerimin e rrjetit të marrëveshjeve dypalëshe në funksion të interesit të tyre.
Aktualisht, Shqipëria ka 17 marrëveshje dypalëshe në zbatim, 5 marrëveshje të dakordësuara, ndërsa 3 të tjera dypalëshe për sigurimet shoqërore janë në negociim ose në proces përgatitjeje.