Marsh qytetar për drejtësi në Kosovë – 17 Shkurt

“Drejtësi, jo politikë” – Gjithçka gati për marshin qytetar më 17 shkurt

Platforma qytetare “Liria ka Emër”, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, Eliza Hoxhës dhe Ismail Tashollit, mbajti konferencën e fundit për media përpara marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë”. Ky marsh do të zhvillohet më 17 shkurt në Prishtinë, në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Eliza Hoxha deklaroi se sheshi i kryeqytetit do të jetë “zemra e Kosovës që rreh njëzëri”, duke nënvizuar se marshi synon të dëshmojë unitetin qytetar në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe historisë së vendit. Ajo informoi se mobilizimi ka qenë i jashtëzakonshëm, me mbështetje të gjerë.

Hoxha shtoi se priten mbi 200 mijë qytetarë dhe qëllimi është që ky të jetë marshimi më i madh në historinë e Kosovës së lirë. Qytetarët do të shprehin kërkesën për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Ismail Tasholli prezantoi detajet organizative të marshit. Ai bëri të ditur se në marsh do të flasin pesë folës qytetarë, pa asnjë përfshirje partiake. Programi përfshin gjithashtu performanca artistike nga Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son. Do të zhvillohet gjithashtu një aksion simbolik tek monumenti NEWBORN.

Hoxha dhe Tasholli rikujtuan se data 17 shkurt simbolizon përgjegjësinë për të mbrojtur lirinë dhe të vërtetën. “Kur qytetarët bashkohen pa dallime, ata krijojnë vetëdije dhe forcojnë shtetin,” tha Tasholli.

Platforma qytetare bëri thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve më 17 shkurt në një marsh paqësor, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës. “Gjithçka është gati. Faleminderit për mbështetjen masive! Shihemi më 17 shkurt.”

Scroll to Top