Bien ndjeshëm martesat, rriten divorcet
Familjet shqiptare po përjetojnë një periudhë tranzitore të theksuar, e ndikuar nga fenomenet e migrimit, varfërisë dhe kostove të larta të jetesës. Këta faktorë po kontribuojnë në uljen e numrit të martesave, ndërkohë që divorcet shfaqin një tendencë rritëse.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se vitin e kaluar u regjistruan 16,120 martesa, duke shënuar një rënie prej 7.7% krahasuar me vitin 2023. Në të njëjtën periudhë, numri i divorceve arriti në 4,100, pra 65 më pak se në vitin 2023. Megjithëse numri absolut i divorceve ka pasur luhatje, raporti i tyre ndaj numrit të martesave është rritur ndjeshëm.
Në vitin 2021, për çdo 100 martesa kishte vetëm 15.8 divorce. Ndërkohë, në vitin 2024 ky raport arrin në rreth 25 divorce për 100 martesa, duke shënuar nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit.
Arsyet kryesore të uljes së numrit të martesave lidhen me emigracionin dhe rënien e numrit të të rinjve, që redukton bazën demografike të personave të moshës për t’u martuar. Presioni ekonomik është bërë një faktor vendimtar si për moslidhjen në martesë, ashtu edhe për divorcet. Të rinjtë përballen me paga të ulëta, qira të larta dhe apartamente të papërballueshme për blerje, duke hasur vështirësi serioze në krijimin e kushteve të qëndrueshme për një familje. Si pasojë, martesa shtyhet në kohë ose shmanget plotësisht.
Nga ana tjetër, divorcet po rriten për shkak të vështirësive financiare, të cilat nxisin tensione brenda familjeve. Shumë çifte jetojnë të ndarë për shkak të migracionit ekonomik, çka shpesh çon në prishjen e martesës ose në moskryerjen e saj.
Emigracioni dhe rënia e lindjeve kanë kontribuar në tkurrjen e popullsisë së re brenda vendit. Paralelisht, po ndryshon edhe mentaliteti. Të rinjtë përqendrohen më shumë te karriera dhe pavarësia financiare, duke shtyrë martesën në moshë më të vonë ose duke preferuar bashkëjetesën pa formalizim.
Më tej, pjesëmarrja më e lartë e grave në tregun e punës dhe të ardhurat e pavarura u japin atyre më shumë autonomi, duke i bërë më pak të varura nga martesa si një mekanizëm ekonomik. Në të njëjtën kohë, kjo rrit gatishmërinë për t’u divorcuar kur marrëdhënia nuk funksionon, duke shmangur sakrificat që dikur konsideroheshin të domosdoshme për ruajtjen e familjes.
Gjithnjë e më shumë, sidomos në zonat urbane, stresi është më i lartë. Ritmi i shpejtë i jetesës dhe mungesa e mbështetjes sociale po shtojnë presionet brenda familjes. Ndërkohë që normat shoqërore janë liberalizuar, stigma ndaj divorcit është dobësuar ndjeshëm. Sot, divorci shihet si një zgjidhje e pranueshme dhe jo si dështim, gjë që e bën më të lehtë marrjen e këtij vendimi.
