“`html
Mashtrim spektakolar në Francë: Pensionistët humbin pasuri prej 1.1 milionë eurosh nga “punonjësit e sigurisë”
Një çift të moshuarish në Francë ka rënë pre e një skeme të sofistikuar mashtrimi, duke humbur pasuri me vlerë rreth 1.1 milionë euro. Mashtruesit i kanë bindur ata se sendet e tyre me vlerë ishin në rrezik.
Ngjarja ka ndodhur në Lainville-en-Vexin, një fshat me rreth 800 banorë në departamentin Yvelines. Sipas mediave franceze, gjithçka nisi më 31 korrik, kur çifti mori një telefonatë nga një person që u prezantua si punonjës i një kompanie sigurie. Mashtruesi i informoi pensionistët se të dhënat e tyre personale ishin komprometuar dhe i këshilloi të mos largoheshin nga banesa. Për të shtuar besueshmërinë, ai kërkoi nga ata të përgatisnin një ankesë paraprake.
Dy ditë më vonë, autorët kaluan në fazën tjetër të planit. Një person tjetër i përfshirë në skemë mori burrin nga banesa, duke pretenduar se duhej të kryhej një procedurë sigurie. Ndërkohë, gruaja mbeti në shtëpi dhe mori një tjetër telefonatë nga një person që u paraqit sërish si përfaqësues i kompanisë së sigurisë. Kur mësoi se familja kishte një kasafortë, ai kërkoi informacion për përmbajtjen e saj dhe e bind gruan se paratë dhe sendet me vlerë duhej të zhvendoseshin përkohësisht në një vend të sigurt.
E bindur nga skenari i përgatitur, pensionistja vendosi para të gatshme, paund ari, shufra ari dhe bizhuteri në një çantë. Më pas, ajo ia dorëzoi një personi që u paraqit në derën e shtëpisë si korrier i autorizuar. Vlera totale e pasurisë së marrë nga mashtruesit llogaritet në rreth 1.1 milionë euro.
Kur çifti kuptoi se kishte rënë në kurthin e mashtrimit, njoftoi menjëherë autoritetet dhe depozitoi kallëzim. Hetuesit francezë po shqyrtojnë mundësinë që autorët të kenë siguruar të dhënat e viktimave përmes rrjedhjeve të informacionit personal. Dyshimet lidhen gjithashtu me disa sulme kibernetike të raportuara së fundmi ndaj kompanive që merren me blerjen dhe shitjen e arit në Francë.
Deri tani, autorët e skemës mbeten të paidentifikuar dhe të lirë, ndërsa policia po heton nëse grupi mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera mashtrimi ndaj personave që zotërojnë sende me vlerë.
“`
