MatchMaker Albania 2: Investime & Biznes në Tiranë, 26 Mars

MatchMaker Albania 2 vjen më 26 Mars në Tiranë, platforma që bashkon bizneset dhe ndërlidh investimet

Matchmaker Albania, një iniciativë e Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), mbërrin këtë vit në edicionin e tij të dytë. Edicioni i parë u shënua nga një sukses i konsiderueshëm, duke u mbështetur në numrin e lartë të shteteve të përfaqësuara (mbi 40), numrin e investitorëve (mbi 500), si dhe numrin e pjesëmarrësve të përfshirë në një ditë të dedikuar investimeve dhe ekosistemit të biznesit (mbi 1000).

Suksesi i edicionit të parë konfirmoi nevojën dhe domosdoshmërinë e një platforme të tillë. Matchmaker Albania është konceptuar si një ditë e dedikuar tërësisht biznesit.

Pse ka rëndësi MatchMaker Albania 2

MatchMaker Albania 2 përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt pozicionimit të Shqipërisë si një destinacion serioz për investime në rajon. Ky event nuk synon shitjen apo reklamimin e produkteve, por krijon një hapësirë për të diskutuar arritjet e vendit dhe të bizneseve shqiptare, nevojat ekzistuese dhe mundësitë e rritjes përmes kontratave dhe marrëveshjeve të reja.

Gjithashtu, është një platformë ideale për të ngritur problematika të lidhura me biznesin dhe për të gjetur zgjidhje, pasi mbledh në një vend aktorë kyç si institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare, bizneset e rëndësishme dhe ato inovative.

Përmes diskutimeve për potencialet dhe arritjes së marrëveshjeve, eventi kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në forcimin e rolit të tij në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Takimet B2B dhe pjesëmarrja e aktorëve kryesorë pritet të gjenerojnë rezultate të matshme me ndikim afatgjatë.

Pse ka rëndësi pjesëmarrja

Pjesëmarrja në këtë platformë ofron mundësi të mëdha për çdo kompani apo investitor që kërkon zgjerim dhe krijim të sinergjive të reja.

  • Për bizneset shqiptare, është një mundësi për ndërkombëtarizim dhe rritje të kapaciteteve prodhuese, burimeve njerëzore, infrastrukturës dhe eksporteve.
  • Për investitorët e huaj, ofron qasje në një treg në zhvillim me potencial të lartë, mundësinë për t’u takuar me bizneset vendase më të rëndësishme, për të kontaktuar me aktorët shtetërorë që lehtësojnë investimet, si dhe për të gjetur furnitorë apo bashkëinvestitorë.

Prania në këtë event do të thotë të jesh pjesë e një rrjeti vendimmarrësish, inovatorësh dhe aktorësh kyç të ekonomisë.

Katër sektorët e MM2

Këtë vit, MatchMaker Albania 2 fokusohet në katër sektorë kyç, të cilët konsiderohen shtylla të zhvillimit dhe inovacionit në vend:

  • Future Estate: Zhvillimi i pasurive të paluajtshme dhe turizmit, me theks të veçantë te projektet e qëndrueshme dhe infrastruktura mikpritëse moderne.
  • Smart Agriculture: Modernizimi i bujqësisë përmes teknologjisë dhe rritjes së produktivitetit.
  • Digital Horizons: Transformimi dixhital dhe mbështetja e startup-eve dhe inovacionit teknologjik.
  • Power Next (Energy): Investime në energjinë e pastër dhe tranzicionin energjetik.

Këta sektorë pasqyrojnë jo vetëm potencialin aktual të Shqipërisë, por edhe drejtimin e saj strategjik për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri ndërkombëtare.

Çfarë të presim nga MM2 dhe vijimësia

Koordinimi institucional për organizimin e këtij aktiviteti njëditor, që i kushtohet investimeve, dëshmon një angazhim të qartë për tërheqjen e kapitalit të huaj dhe fuqizimin e biznesit vendas. Krahasuar me edicionin e parë, ky vit sjell më shumë qartësi, fokus më të theksuar te marrëveshjet dhe më shumë projekte të zbatueshme.

MM2 transformohet nga një event prezantues në një mekanizëm për zhvillim ekonomik, një mekanizëm që secili mund ta shfrytëzojë më 26 mars. Një javë para eventit, në Pallatin e Kongreseve, janë koordinuar mbi 300 takime, me 500 pjesëmarrës të regjistruar nga 25 shtete.

Kështu, Matchmaker Albania po kthehet në një traditë, duke u konsoliduar si eventi më i madh i investimeve dhe biznesit në Shqipëri – një ditë e dedikuar tërësisht biznesit.

Scroll to Top