Pre. Sht 21st, 2018

MB: Opozita, baltë mbi policinë e Shtetit, ja e vërteta në Lezhë

TIRANË,8 shtator /ATSH- I. Vata/ – Ministria e Brendshme ka reaguar sot në lidhje me deklaratën e partisë Demokratike, referuar të dhënave dhe veprimeve të Policisë së Lezhës.

Ministria e Brendshme sqaron se: “Në datë 06.09.2018, tek Salla Operative në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në ora 23:37 minuta është telefonuar se nga një mjet me disa persona, nga rruga e kthimit Rana e Hedhun – Shëngjin, po qëllohej me armë.Menjëherë janë angazhuar forcat policore dhe është bërë ndalimi i mjetit të dyshuar. Brenda tij ishin 3 persona”.

Duke shpjeguar dinamikën e ngjarjes, MB shton se “Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre si dhe kontrollit të mjetit, është konstatuar një armë pistoletë me mbishkrimin ‘Ekol Special 99’, me krehër pa fishekë, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Pas ekspertimit, rezultoi se nuk ishte armë zjarri, por armë simuluese zhurmuese. Janë kryer të gjitha veprimet hetimore e procedurale konform rregullave dhe referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë në ngarkim të shtetasit E.S. 26 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishje e rendit publik”, parashikuar nga nenet 280 dhe 274 të Kodit Penal, si posedues i armës.

Po ashtu, ministria e Brendshme pohon se “materialet në ngarkim të tij janë referuar për procedim në gjendje të lirë, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me kundërvajtje penale që nuk hetohet me masën arrest në burg. 2 shtetasit e tjerë që ishin në mjet, pas shoqërimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, janë lënë të lirë pasi nuk kishte elementë të veprës penale, për procedim ndaj tyre”.

Veprimet hetimore kanë përfunduar në mëngjesin e datës 07.09.2018 dhe ngjarja është pasqyruar sipas procedurës standarde të punës, në datën pasardhëse në komunikatën për shtyp, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, me përgjegjësi të plotë, deklarojmë se Ministri i Brendshëm nuk ka telefonuar apo dhënë udhëzime në asnjë rast të vetëm Drejtorive Vendore, për operacione apo veprime procedurale dhe policore, që lidhen me hetimin e ngjarjeve.

Kjo është reminishencë e kohës kur Ministria e Brendshme drejtohej nga ata që sot janë në opozitë dhe gjuajnë me topa balte drejt Policisë së Shtetit, duke tentuar ta demotivojnë atë dhe inkurajojnë krimin.

“Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit, janë në detyrë dhe të angazhuar me përgjegjësinë maksimale për të goditur me Forcën e Ligjit çdo grup kriminal apo lidhjet e tyre kudo gjenden”, thuhet në deklaratën e MB. /j.p/

Kategori