Hën. Tet 22nd, 2018

Mbarëvajtja e sezonit turistik – Dy kulla të tjera vrojtimi shtohen në plazhin e Durrësit

TIRANË, 20 korrik /ATSH/- Dy kulla të tjera vrojtimi janë shtuar sot në plazhin e Durrësit në funksion të rritjes së sigurisë në plazhet tona.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, njoftoi në një postim në rrjetin social “Facebook”, se angazhimi i qeverisë dhe veçanërisht i ministrive të linjës është rritur për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik në të gjithë Shqipërinë.

“Ky veprim konkret është në mbështetje të turizmit, si një nga mundësitë më të mira të zhvillimit të fshatrave dhe qyteteve tona”, shkruan ministri Peleshi.

Tashmë që kalendari shënon përtej mesit të muajit korrik, duke regjistruara dhe pikun e sezonit turistik, në vendin tonë numri i turistëve dhe pushuesve vjen duke u rritur në mënyrë progresive.

Në Shqipëri, stina e verës kulmon me interesin e turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin dëshirë për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor.

Vendi ynë po afirmohet tashmë si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare, Shqipëria ofron disa plazhe, nga Veriu deri në Jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës e duke vijuar me rivierën në Jug të vendit që nis me Vlorën, Himarën dhe Sarandën.

Ndërkohë që qytete të tjera si Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra etj., janë destinacione më të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Për të mbështetur turizmin, si një industri me potenciale të mëdha në ekonominë e vendit qeveria ka shtuar angazhimin në të gjitha drejtimet për përmirësimin e kushteve, në mbarëvajtjen e sezonit turistik. /e.xh//r.e/

Turizëm – Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kategori