Ministrja e Ekonomisë: 300 milionë lekë mbështetje për startup-et dhe inovacionin
Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 300 milionë lekësh në formë granti për vitin 2026, i cili do të shërbejë për mbështetjen e startup-eve dhe bizneseve inovative që zhvillojnë ide dhe produkte me potencial të lartë rritjeje.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se ky fond ka si qëllim forcimin e ekosistemit të sipërmarrjes në vend dhe krijimin e mundësive shtesë për zhvillim, inovacion dhe rritje ekonomike të qëndrueshme.
Sipas saj, granti do të mundësojë mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në krijimin e produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, si dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve të reja shqiptare në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
Afati i fundit për aplikim në këtë program është data 21 mars, ora 22:00. Subjektet e interesuara inkurajohen të aplikojnë brenda këtij afati për të përfituar nga kjo mbështetje financiare.