“`html
Mbetjet e bllokuara në Porto Romano, Ministri i Mjedisit: Po vlerësojmë se ku do të asgjësohen
Mbi një vit pas sekuestrimit të rreth 2,800 tonëve mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, të cilat u kthyen nga Tajlanda dhe ende ruhen në kontejnerë në Porto Romano, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se ekzistojnë dy mundësi për asgjësimin e tyre.
Sipas ministrit Jaupaj, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia e Sekuestrimit po vlerësojnë nëse mbetjet do të ekportohen për asgjësim jashtë vendit apo do të trajtohen brenda territorit shqiptar. Vendimmarrja për këtë proces pritet të jetë transparente.
“Në rast se ekspertët e agjencive vlerësojnë që ato mund të asgjësohen në territorin e Shqipërisë, Ministria dhe subjektet private janë të gatshme të japin kontributin për procesin e asgjësimit. Procesi do të jetë transparent dhe aktualisht jemi në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e pasurive të konfiskuara,” tha Jaupaj.
Deklarata e ministrit të Mjedisit u bë gjatë konferencës për shtyp mbi reformën e menaxhimit të integruar të mbetjeve. Ministri Jaupaj theksoi se reforma ka hyrë tashmë në një fazë të re, atë të investimeve konkrete, me fokus nxitjen e ekonomisë qarkulluese. Ai shtoi se puna për përmbushjen e direktivave voluminoze europiane të Kapitullit 27, kushtuar mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, vijon pandërprerë, si një mision në shërbim të qytetarëve dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministri Jaupaj informoi gjithashtu se për periudhën e ardhshme parashikohen rreth 9.8 miliardë euro për mjedisin dhe përmbushjen e standardeve të BE-së.
“Për të gjitha aspektet e investimeve që biznesi dhe shteti duhet të realizojnë në vitet në vijim, vlera e nevojshme arrin në rreth 9.8 miliardë euro. Një shifër e tillë, edhe pse e lartë, përfshin çështje mjedisore, duke filluar nga ujërat e ndotura, emisionet industriale të prodhuesve më të mëdhenj, deri te direktivat për restaurimin e natyrës. Bazuar në këto direktiva, është përcaktuar një vlerë që do të duhet të angazhojë shtetin shqiptar dhe subjektet private. Këto investime janë pjesë e një periudhe afatgjatë, duke pasur parasysh që edhe disa vende anëtare të BE-së nuk janë ende plotësisht të harmonizuara me standardet e BE-së. Periudha tranzitore, që do të zgjasë disa vite, duhet të kombinohet me të gjitha angazhimet financiare për plotësimin e këtyre standardeve,” përfundoi ministri.
“`
