Ndarja në burim e mbetjeve dhe riciklimi: Qeveria vendos afate për njësitë vendore
Një projektvendim i propozuar nga Ministria e Mjedisit, i cili është nxjerrë për konsultim publik, përcakton kritere, procedura dhe afate që njësitë vendore duhet të plotësojnë për zbatimin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve. Ky projektvendim synon të sigurojë grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim, të promovojë ripërdorimin dhe riciklimin, të parandalojë përzierjen e mbetjeve dhe të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e njeriut.
Relacioni shoqërues i projektvendimit thekson se ai përcakton kriteret, procedurat dhe afatet për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, në përputhje me parimet e ekonomisë qarkulluese, mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit, si dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut. Qëllimi kryesor është reduktimi i sasisë së mbetjeve të deponuara, rritja e nivelit të riciklimit dhe rikuperimit, si dhe parandalimi i ndikimeve negative në mjedis.
Projektvendimi detajon kriteret për grumbullimin e mbetjeve, duke specifikuar mënyrën e ndarjes së tyre nga ata që i gjenerojnë dhe procedurat e grumbullimit të diferencuar nga poseduesit e mbetjeve. Kreu katër i projektvendimit parashikon afatet dhe masat që duhet të marrin njësitë e vetëqeverisjes vendore për të arritur objektivat e grumbullimit të diferencuar të materialeve të tilla si plastika, druri, metalet me ngjyra, alumini, qelqi, letra dhe kartoni. Këto materiale përfaqësojnë rrymat kryesore të mbetjeve komunale, të cilat në përgjithësi nuk janë të rrezikshme dhe janë të përshtatshme për riciklim përmes proceseve standarde mekanike.
Afatet minimale për përgatitjen për ripërdorim dhe riciklimin e këtyre rrymave të mbetjeve janë:
- Të paktën 25% deri në vitin 2030
- 50% deri në vitin 2033
- 55% deri në vitin 2035
- 60% deri në vitin 2040
- 65% deri në vitin 2045
Këto objektiva do të mundësojnë reduktimin e sasive të mbetjeve që përfundojnë në landfill dhe do të kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave të ekonomisë qarkulluese, sipas kuadrit të përcaktuar nga Direktiva 2008/98/BE.
Pajisjet elektrike dhe elektronike, si dhe mbetjet e baterive, përbëjnë rryma mbetjesh me regjim të veçantë juridik. Kjo për shkak të përmbajtjes së substancave potencialisht të rrezikshme dhe kompleksitetit të përbërjes së tyre. Miratimi i tyre bëhet me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Këto kategori kërkojnë trajtim të specializuar, sisteme të posaçme grumbullimi dhe përpunimi, si dhe zbatimin e parimit të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, në përputhje me Direktivën 2012/19/BE dhe Direktivën 2006/66/KE, thuhet në relacion.
