Hën. Kor 16th, 2018

Mbi 1772 kontrolle në bregdet, gati gjysma e tyre me shkelje

TIRANË, 11 korrik/ATSH/- Drejtoria e Hetimit Tatimor, po ushtron kontrolle të vazhdueshme në sektorin e turizmit, me fokus të veçantë zonat bregdetare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e informalitetit, si dhe sigurimin e mbarëvajtjes së sezonit.

Për periudhën 22 qershor – 8 korrik janë kontrolluar në total 1772 subjekte tregtare. Nga këto 49 % e subjekteve (ose 869) kanë rezultuar me shkelje, që kanë kapur vlerën e rreth 30.4 milionë lekëve.

Numri më i lartë i penaliteteve është vendosur për moslëshim të kuponit tatimor dhe këto raste zënë rreth 22% ndaj totalit. Për tre subjekte, që nuk kishin lëshuar kupon tatimor për herë të dytë, u mor masa e mbylljes së veprimtarisë ekonomike për 30 ditë kalendarike, sipas legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu, nga kontrollet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor, rezultoi se 54 subjekte ishin të paregjistruar në organin tatimor. Ndërsa u konstatuan 140 tatimpagues që dispononin mallra të pashoqëruara me dokumentacion tatimor.

Për punonjës të padeklaruar në organin tatimor, strukturat e specializuara të kësaj drejtorie penalizuan 144 subjekte.

Drejtoria e Hetimit Tatimor në DPT, tërheq vëmendjen e tatimpaguesve që operojnë në zonat turistike të respektojnë detyrimet ligjore që lidhen me dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport, lëshimin e kuponit tatimor/faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij, regjistrimin e të gjithë punonjësve të angazhuar në biznes me kohë të plotë apo të pjesshëm, si dhe për të afishuar çmimet e shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara.

Në kuadër të planit të masave për sezonin turistik, këto struktura do të verifikojnë më shumë se 16 mijë tatimpagues, në të gjithë vendin.

/a.gjonaj//m.m/

Kryesore – Agjencia Telegrafike Shqiptare