Personeli më shumë se një muaj pa paga; Sekretari amerikan i Transportit: Do të shkurtojmë fluturimet në 40 aeroporte nëse mbyllja e qeverisë nuk mbaron
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka paralajmëruar se do të ketë një ulje prej 10% të kapacitetit të udhëtimeve ajrore në 40 nga aeroportet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara, nëse mbyllja e qeverisë federale vazhdon edhe pas së premtes.
Ky vendim vjen pasi kontrollorët e trafikut ajror kanë raportuar probleme me lodhjen dhe mungesën e personelit, si pasojë e faktit se shumë prej tyre nuk janë paguar për më shumë se një muaj.
Kreu i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, ka deklaruar se situata është “e pazakontë” dhe një pasojë direkte e mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-së.
“Kontrollorët tanë nuk janë paguar për një muaj. Po shohim presione që nuk na lejojnë të garantojmë më sistemin ajror më të sigurt në botë, nëse kjo vazhdon,” – ka thënë Bedford.
Sipas të dhënave paraprake, reduktimi i fluturimeve do të zbatohet gradualisht: 4% të premten, 5% të shtunën, 6% të dielën, duke arritur në 10% gjatë javës së ardhshme, raportoi Reuters, duke cituar burime nga administrata.
Emrat e aeroporteve të prekura, të gjitha me trafik të lartë, pritet të bëhen publikë të enjten. Ulja e kapacitetit mund të ndikojë nga 3,500 deri në 4,000 fluturime në ditë.
Mbyllja e qeverisë nisi më 1 tetor, pasi fondet federale për agjencitë publike përfunduan, duke detyruar shumicën e punonjësve të qëndrojnë në shtëpi pa pagesë. Vetëm punonjësit “thelbësorë”, si kontrollorët e trafikut ajror, janë të detyruar të vazhdojnë punën pa u paguar.
