Meloni: Dikur konsideroheshim “dele e zezë”, sot po i tregojmë rrugën Evropës
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi sot se Italia po i tregon Evropës rrugën, duke qenë se para tre viteve konsiderohej si “dele e zezë” e “kontinentit të vjetër”.
“Brenda tre vjetëve kemi rikthyer imazhin e kombit tonë. Ishim dele e zezë dhe tani mund t’i tregojmë Evropës rrugën e lundrimit,” deklaroi ajo nga Bari i Pulias.
Duke folur në një tubim parazgjedhor para zgjedhjeve rajonale, të cilat do të mbahen pas dy javësh, kreu i qeverisë së Romës shtoi: “Më kujtohet si thoshin se kurrë nuk do të arrinim të qeverisnim kombin, ose se do të zgjatnim më pak se gjashtë muaj. Sot jemi qeveria e tretë më jetëgjatë e Italisë, në total 68. Dhe para tre ditësh, Financial Times shkroi se Evropa duhet të marrë mësim nga vendi ynë”.
Kryeministrja italiane përsëriti se synon të shterojë mandatin pesëvjeçar të kësaj legjislature dhe se më pas do të gjykohet për veprën e saj nga qytetarët. Në këtë mënyrë, ajo bëri të qartë se në rast se italianët pranverën e ardhshme nuk e miratojnë, përmes referendumit përkatës, reformën e drejtësisë të miratuar së fundmi nga parlamenti, ajo nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Melonin e drejtë ta dërgojë në shtëpi e kanë vetëm italianët. Është diçka me të cilën e Majta nuk është mësuar, është demokracia,” përfundoi kryeministrja italiane.
