Meloni, batuta me stafin në Kryeministri: “Viti i ardhshëm do të jetë edhe më keq!”
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka uruar stafin e Zyrës së Kryeministrit për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, duke mos u kursyer batutat. Ajo ka këshilluar stafin të pushojnë dhe të rikuperojnë energjitë gjatë festave, duke theksuar se i pret një vit i vështirë pune.
Gjatë një takimi të zhvilluar të martën në oborrin e Zyrës së Kryeministrit, Meloni falënderoi bashkëpunëtorët për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë vitit që po mbyllet. “Ju dua. Ne jemi një familje dhe luftojmë gjatë gjithë vitit”, u shpreh ajo.
Kryeministrja iu drejtua stafit edhe me nota humori, duke thënë se viti i kaluar ka qenë i vështirë për të gjithë, por se sfidat do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm. “Mos u shqetësoni, sepse viti tjetër do të jetë edhe më keq”, tha ajo me shaka.
Në përfundim, Meloni theksoi rëndësinë e përgatitjes për sfidat që e presin vendin, duke shtuar se pushimi gjatë festave është i domosdoshëm për të vazhduar punën me energji të reja dhe për t’i dhënë përgjigjet e nevojshme Italisë.
