Menaxhim më i mirë risku dhe sigurime kombëtare për fatkeqësi

## Duhet menaxhim më i mirë rreziku dhe skemë kombëtare për mbrojtjen nga katastrofat

Intervistë / Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Insurance Group

Shqipëria ka nevojë për të përmirësuar menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe për të masivizuar sigurimin, nëpërmjet një skeme kombëtare. Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Insurance Group, mendon se menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore kërkon qasje të integruar, duke përfshirë parandalimin, planifikimin urban, infrastrukturën dhe përgjegjshmërinë institucionale. Megjithatë, sipas tij, elementi thelbësor mbetet sigurimi masiv nga rreziku i katastrofave, nëpërmjet skemave të posaçme, që bëjnë të mundur pjesëmarrjen e të gjithëve në mbulimin e këtyre dëmeve. Tregu i sigurimeve ka ndërtuar një përvojë të madhe dhe sot mbulon mbi 250 milionë euro për këto lloj katastrofash. Por, ai thekson se ky mbulim duhet çuar në 1.2 miliardë euro, duke ngritur skema me pjesëmarrje kolektive, ku të gjithë paguajnë një prim të vogël.

### Si e vlerësoni shkallën e mbulimit të ekonomisë shqiptare me sigurime nga fatkeqësitë natyrore?

Mbulimi i ekonomisë shqiptare me sigurime nga fatkeqësitë natyrore mbetet relativisht i ulët krahasuar me nevojat reale dhe ekspozimin e vendit ndaj riskut (përmbytje, rrëshqitje dherore, tërmete). Interesi është rritur vitet e fundit, por ende një pjesë e madhe e bizneseve dhe familjeve nuk e kanë të integruar sigurimin si instrument bazë menaxhimi risku. Kjo ndodh shpesh për arsye kostoje, mentaliteti, mungese informacioni apo pritshmërie që dëmet do të mbulohen nga shteti. Kjo krijon problematika të mëdha midis të siguruarve dhe të pasiguruarve.

Në përgjithësi, kjo situatë është zgjidhur me sigurime kombëtare apo sigurime kundër katastrofave, që marrin vlera të ndryshme në vende të ndryshme. Ndërtimi i skemave të tilla është i domosdoshëm dhe funksional. Tregu i sigurimeve, me eksperiencën që ka, mund të ofrojë zgjidhje që janë shumë të rëndësishme për interesat e qytetarëve.

### Çfarë efektesh patën përmbytjet e këtij muaji për kompanitë e sigurimeve dhe a jeni përballur me dëme nga situata e krijuar?

Përmbytjet e këtij muaji sollën një rritje të menjëhershme të njoftimeve për dëme. Madje, shumë klientë paraqitën kërkesa për dëme, edhe prej atyre që nuk janë të siguruar për përmbytjen. Dëmet ishin kryesisht në pronë, inventar, pajisje, ambiente prodhimi/tregtie, si dhe në disa raste edhe në automjete. Përmbytja është një mbulim shtesë, mbi mbulimin nga zjarri, ashtu sikur edhe tërmeti.

Për sa i përket kompanisë sonë, kemi pasur njoftime dhe/ose dosje dëmesh të lidhura me situatën. Jemi në proces verifikimi/vlerësimi sipas kushteve të policave, duke synuar trajtim sa më të shpejtë dhe transparent për klientët. Dëmet janë përqendruar kryesisht në zonën e Durrësit, por edhe në zona të tjera.

Ajo që duhet theksuar është se klientët mendojnë për sigurimin nga përmbytja kur janë realisht të përmbytur ose kur janë të dëmtuar nga tërmeti apo zjarri. Sigurimet operojnë atëherë kur kemi kontrata funksionale dhe kjo është më e rëndësishmja. Nuk mund të ketë sigurime pas ndodhjes së ngjarjeve dhe pa paguar primin e sigurimit.

### A keni pasur raste të subjekteve të interesuara për t’u siguruar nga fatkeqësitë, por që nuk keni mundur t’i siguroni, për shkak të riskut të lartë? Cila është tipologjia e rasteve dhe zonave?

Po, në praktikë ndodh që jo çdo risk është i sigurueshëm me kushte standarde, sidomos kur probabiliteti i dëmit është shumë i lartë ose kur mungojnë masat minimale të mbrojtjes. Ka raste tipike ku kërkohet rishikim i thelluar, kufizim mbulimi ose mospranim.

Kjo mund të ndodhë kur:

  • Objektet nuk kanë marrë masa parandaluese nga zjarri, kanë mangësi instalimi dhe nuk kanë mjetet e domosdoshme të mbrojtjes nga zjarri.
  • Janë objekte në zona të përsëritura përmbytjeje afër shtratit të lumit, me kanale kulluese jofunksionale, zona të ulëta ku uji grumbullohet rregullisht.
  • Ka magazina/ambiente me inventar me vlerë të lartë në kate përdhese, pa masa mbrojtëse (pragje, barriera, pompim, elevim i pajisjeve).
  • Bizneset nuk kanë dokumentacion teknik (gjendje civile/planimetri, standarde ndërtimi, sistem drenazhimi), ose kanë ndërtime informale/pa certifikime.
  • Ka zona me rrëshqitje dherore, ku ka histori dëmesh ose ku terreni është i paqëndrueshëm dhe nuk ka ndërhyrje stabilizuese.
  • Janë objekte me amortizim të lartë dhe mirëmbajtje të dobët, ku rreziku rritet ndjeshëm.
  • Objektet nuk kanë kushte normale funksionale.

Në shumë raste, zgjidhja nuk është refuzimi, por vendosja e kushteve shtesë, primeve më të larta, franshizës më të madhe, limiteve të mbulimit, ose kërkesa për masa parandaluese përpara pranimit. Nuk kemi kurrë refuzime absolute, por kemi prime më të larta dhe kërkesë për plotësimin e kushteve funksionale për objektin.

### Besoni se ekzistojnë hapësira për menaxhimin më të mirë të riskut nga fatkeqësitë natyrore nga strukturat shtetërore?

Po, ka hapësira të dukshme për përmirësim. Menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore kërkon qasje të integruar: parandalim, planifikim urban, infrastrukturë dhe përgjegjshmëri institucionale.

Disa elementë ku mund të bëhet më mirë:

  • Hartëzim dhe publikim i përditësuar i zonave të riskut (përmbytje/rrëshqitje) dhe përdorimi i tyre në lejet e ndërtimit.
  • Mirëmbajtje sistematike e kanaleve kulluese, argjinaturave dhe baseneve – shpesh dëmet përkeqësohen nga mungesa e mirëmbajtjes.
  • Standardizim i kodeve të ndërtimit dhe kontroll real i zbatimit, sidomos në zona me risk.
  • Sisteme paralajmërimi të hershëm dhe protokolle të qarta reagimi në nivel vendor.
  • Nxitje e sigurimit përmes politikave publike (p.sh. edukim, lehtësime, skema bashkëndarjeje risku).

Por, thelbi mbetet sigurimi masiv, sigurimi nga rreziqet katastrofike. Skemat funksionale dhe përvoja nga këto skema tregojnë sa të domosdoshme janë dhe sa vlerë shtojnë për një vend si Shqipëria, me një territor me rrezikshmëri të lartë nga përmbytjet, tërmetet dhe rreziqe të tjera katastrofike.

### Nga këndvështrimi juaj, si mund të përmirësohet mbulimi i vendit me sigurime nga fatkeqësitë natyrore?

Përmirësimi kërkon bashkëpunim mes sektorit privat, shtetit dhe qytetarëve/bizneseve. Kërkon ndërgjegjësim dhe edukim financiar: njerëzit shpesh e kuptojnë vlerën e sigurimit vetëm pas një dëmi.

Kërkohet ndërtimi i skemave kolektive dhe i ligjeve që bëjnë të mundur pjesëmarrjen e të gjithëve në mbulimin e këtyre dëmeve. Përvoja e tregut të sigurimeve është e madhe, kërkohet vetëm bashkërendim.

Sot tregu ka të mbuluar mbi 250 milionë euro për këto lloj katastrofash. Çfarë duhet? Duhet rritur ky mbulim, duke shkuar në 1.2 miliardë euro. Këtu fillon edhe puna për ndërtimin e skemave, për të realizuar këtë mbulim.

Me pjesëmarrje kolektive, të gjithë paguajnë një prim të vogël, ose shteti blen bonde katastrofash, por natyrisht që kjo është kosto e lartë për shtetin. Produkte më fleksibël janë paketa modulare, prime të shkallëzuara, mbulim i kombinuar (p.sh. zjarr + përmbytje + rrëshqitje) për të ulur koston relative.

Ekzistojnë skema publike-private (PPP) ose fonde katastrofash: për ngjarje të mëdha, kërkohet kapacitet kombëtar dhe risigurim efektiv.

Duhet lidhje e sigurimit me financimin, me nxitje që kreditë/hipotekat të shoqërohen me mbulim adekuat nga katastrofat, jo vetëm mbulim minimal.

Duhet përmirësim i të dhënave dhe modelimit të riskut: sa më mirë të kuptohet ekspozimi, aq më të drejta dhe të përballueshme bëhen çmimet.

Nevojiten masa parandaluese në pronë: kur bizneset investojnë në drenazh, barriera, elevim pajisjesh, etj., sigurimi bëhet më i mundur dhe më i lirë.

Scroll to Top