Merz i kërkon Kurtit përparim në dialogun me Serbinë
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ketë “përparime të tjera” në dialogun me Serbinë. Kjo kërkesë është bërë në një letër urimi që Merz ia ka dërguar Kurtit me rastin e mandatit të ri qeverisës.
Në letrën e tij, publikuar nga Zyra e Kryeministrit, Merz thekson se para Kurtit dhe qeverisë së tij “qëndrojnë detyra sfiduese”. Ai shprehet i bindur se, me përvojën e tij, Kurti do të marrë vendimet e nevojshme për integrimin euro-atlantik të Kosovës. Pjesë e këtyre vendimeve, sipas Merz, janë edhe përparimet në dialogun e normalizimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me Serbinë.
Merz i ka siguruar Kurtin se në këto përpjekje, Kosova ka në Gjermani “një partner të fortë dhe të besueshëm në krahun e saj”. Ai e ka uruar Kurtin për fat dhe sukses në mandatin e ri qeverisës.
Letra e plotë e urimit nga Merz:
I nderuar zoti Kryeministër,
Për rizgjedhjen tuaj ju përgëzoj përzemërsisht. Gëzohem për mundësinë që, së bashku me ju, të thellojmë më tej marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes vendeve tona.
Përpara jush dhe qeverisë suaj qëndrojnë detyra sfiduese. Jam i bindur se, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Kosovës. Këtu përfshihen edhe përparime të tjera në dialogun e normalizimit të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë.
Të jeni i sigurt se Kosova, në këto detyra, ka në Gjermani një partner të fortë dhe të besueshëm në krahun e saj.
Ju uroj për vazhdimin e mandatit tuaj shumë fat dhe sukses.
Me përshëndetje të përzemërta,
Friedrich Merz
Kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë
